Trump sulmon kancelarin gjerman në lidhje me Iranin, thotë se “nuk e di çfarë flet”

Presidenti amerikan Donald Trump pretendoi se kancelari gjerman Friedrich Merz e konsideron të pranueshme që Irani të zotërojë armë bërthamore, duke rritur më tej tensionet mes aleatëve, transmeton Anadolu.
“Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, mendon se është në rregull që Irani të ketë armë bërthamore”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Ai shtoi se Merz “nuk e di se për çfarë po flet” dhe tha se një Teheran i armatosur me armë bërthamore do ta linte botën “peng”.
Trump mbrojti qëndrimin e tij si një veprim që, sipas tij, “vende të tjera, apo presidentë të tjerë, duhej ta kishin bërë shumë kohë më parë”.
“Nuk është çudi që Gjermania po ecën kaq dobët, si ekonomikisht, ashtu edhe në aspekte të tjera”, tha Trump.
Gjermania nuk reagoi menjëherë ndaj pretendimeve dhe akuzave të Trumpit.
Sulmi verbal vjen pas deklaratave të së hënës nga Merz, ku ai ashpërsoi kritikat ndaj SHBA-së dhe Izraelit për luftën e zgjatur me Iranin dhe u zotua se evropianët do të rrisin përpjekjet diplomatike për të gjetur një zgjidhje.
“Në lidhje me Iranin, po, jam zhgënjyer”, tha Merz në një konferencë për shtyp në Berlin kur u pyet për deklaratat e tij se SHBA-ja nuk ka një “strategji daljeje” dhe se amerikanët ishin “të poshtëruar” nga Teherani.



