Shqipëria dënon deklaratat e ministres serbe për “spastrim etnik” në Kosovë: Pajtimi kërkon përgjegjësi, jo justifikim të krimeve

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka reaguar pas deklaratës së një anëtareje të Qeverisë së Serbisë, e cila tha se po të kishte pasur lirinë e veprimit që kishte Slobodan Millosheviçi, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën gjatë luftës”.

Përmes një reagimi në platformën X, Hoxha e dënoi ashpër këtë deklaratë, duke e cilësuar të papranueshme, tronditëse dhe fyese për viktimat e luftës në Kosovë.

Ministrja në qeverinë e Aleksandar Vuçiqit deklaroi: “Për të metat dhe budallallëkun tonë, nëse do të kisha qenë e lirë si Millosheviçi, do ta kisha pastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”.

Në reagimin e tij, Hoxha theksoi se normalizimi dhe relativizimi i krimeve kundër njerëzimit bie ndesh me vlerat evropiane dhe dëmton përpjekjet për pajtim në rajon.

Reagimi i plotë:

Deklarata e një anëtari të qeverisë së Serbisë, që shpreh publikisht keqardhje që në Kosovë nuk është kryer një spastrim etnik edhe më i madh, është e papranueshme, tronditëse dhe një fyerje e rëndë për viktimat e luftës.
Relativizimi dhe normalizimi i një prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit, krime të dënuara nga historia, nga drejtësia ndërkombëtare dhe nga vetë ndërgjegjja njerëzore, bien ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Evropa e sotme. Ato minojnë përpjekjet për pajtim dhe bashkëpunim, ushqejnë mosbesimin dhe urrejtjen, si dhe rihapin plagë që ende nuk janë shëruar.

Askush nuk mund të ndërtojë besim duke rikthyer hijet më të errëta të së kaluarës, aq më pak duke lartësuar politika dhe figura që mbajnë përgjegjësi për tragjedi, vuajtje dhe krime që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e rajonit tonë siç është “kasapi i Ballkanit”.

Procesi i normalizimit dhe i pajtimit, për të cilin Kosova, Serbia dhe i gjithë rajoni ynë kanë aq shumë nevojë, kërkon para së gjithash përgjegjësi, reflektim dhe guxim për t’u përballur me të kaluarën.

Ai nuk mund të ndërtohet kurrë mbi deklarata që justifikojnë apo lartësojnë politikat që sollën aq shumë dhimbje e shkatërrim, por vetëm e vetëm mbi të vërtetën, respektin për viktimat dhe angazhimin e sinqertë për një të ardhme të përbashkët evropiane.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button