Shpërthejnë luftërat tregtare derisa Trump godet me tarifa Kanadanë, Meksikën dhe Kinën

Tarifat e reja prej 25 % të presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj importeve nga Meksika dhe Kanadaja kanë hyrë në fuqi sot më 04.03.2025, bashkë me dyfishimin e tarifave për mallrat kineze në 20 %, duke nisur konflikte të reja tregtare me tre partnerët kryesorë tregtarë të Shteteve të Bashkuara, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters.

Veprimet tarifore të cilat mund të përmbysnin afro 2.2 bilion dollarë në tregtinë e dyanshme vjetore të SHBA-së, nisën të zbatohen në orën 12:01 të mëngjesit të sotëm, disa orë pasi presidenti Trump deklaroi se të tri vendet kishin dështuar të bënin mjaftueshëm për frenimin e rrjedhës së opioidit vdekjeprurës fentanil dhe kimikateve të tij pararendëse në territorin amerikan.

Kina u kundërpërgjigj menjëherë, duke njoftuar tarifa shtesë prej 10-15 % për disa importe amerikane nga 10 marsi dhe një sërë kufizimesh të reja eksporti për entitetet e caktuara amerikane.

Hakmarrja e aleatëve

Kanadaja dhe Meksika të cilat kanë gëzuar marrëdhënie tregtare praktikisht pa tarifa me SHBA-në për tri dekada me radhë janë gati të hakmerren menjëherë kundër aleatit të tyre të kahershëm tregtar.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka deklaruar se Otava do të kundërpërgjigjet me tarifa të menjëhershme prej 25 % mallra në vlerë prej 30 miliardë dollarësh dhe produkte të tjera në vlerë prej 125 miliardë dollarësh nëse tarifat e Trump do të jenë në fuqi edhe pas 21 ditësh. Ai tha më parë se Kanadaja do të synonte birrën amerikane, verën, burbonin, pajisjet shtëpiake dhe lëngun e portokallit në Florida.

“Tarifat do të prishin një marrëdhënie tregtare tepër të suksesshme”, ka paralajmëruar Trudeau, duke shtuar se ato do të shkelnin marrëveshjen e tregtisë së lirë SHBA-Meksikë-Kanada të nënshkruar nga Trump gjatë mandatit të tij të parë.

Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, pritet të njoftojë kundërpërgjigjen e saj gjatë një konference për shtyp në mëngjes në Mexico City të martën, ka njoftuar Ministria meksikane e Ekonomisë.

Tarifa shtesë prej 10 për për mallrat kineze shton një tarifë prej 10 % të vendosur nga presidenti Trump më 4 shkurt për të ndëshkuar Pekinin për krizën e mbidozës së fentanilit në Shtete e Bashkuara.

Disa nga këto produkte shënuan rritje të ndjeshme tarifash amerikane nën ish-presidentin Joe Biden vitin e kaluar, duke përfshirë dyfishim të tarifave për gjysmëpërçuesit kinezë në 50 % dhe katërfishim të tarifave për automjetet elektrike kineze me mbi 100 %.

Tarifa prej 20 % do të zbatohet për disa importe kryesore të pajisjeve elektronike të konsumit amerikan nga Kina, të paprekura më parë nga detyrimet e mëparshme, duke përfshirë smartfonët, laptopët, pajisjet e video-lojërave, orët inteligjente dhe altoparlantët dhe pajisjet Bluetooth.

Frika për recesione ekonomike

Tarifat e reja të Kinës kanë në shënjestër një gamë të gjerë të produkteve bujqësore amerikane, duke përfshirë disa lloje mishi, drithërash, pambuku, frutash, perimesh dhe produktesh qumështi.

Pekini vendosi gjithashtu 25 firma amerikane nën kufizime të eksportit dhe investimeve për arsye të sigurisë kombëtare. Dhjetë nga këto firma ishin në shënjestër për shitjen e armëve në Tajvan.

Ministria e Tregtisë e Kinës ka vlerësuar se tarifat amerikane shkelin rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe se “minojnë bazën për bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar midis Kinës dhe SHBA-së”.

Fermerët amerikanë u goditën rëndë nga luftërat tregtare të mandatit të parë të Trumpit, të cilat u kushtuan atyre rreth 27 miliardë dollarë në shitjet e humbura të eksportit dhe ia lëshuan pjesën e tregut kinez Brazilit.

Tarifat për produktet meksikane dhe kanadeze mund të kenë pasoja shumë më të thella për një ekonomi shumë të integruar të Amerikës së Veriut, që varet nga dërgesat ndërkufitare për të ndërtuar makina dhe makineri, për të rafinuar energjinë dhe për të përpunuar mallrat bujqësore.

“Vendimi i sotëm i pamatur i administratës amerikane po i detyron Kanadanë dhe SHBA-në të shkojnë drejt recesioneve, humbjeve të vendeve të punës dhe katastrofës ekonomike”, ka deklaruar në një deklaratë shefja e Odës Kanadeze të Tregtisë, Candace Laing.

 

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button