Raport i rrjedhur i OKB-së: Emiratet e Bashkuara Arabe punësuan mercenarë kolumbianë për të luftuar në radhët e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë në Sudan

Një raport konfidencial i hetuesve të Kombeve të Bashkuara (OKB) “vërteton përfundimisht” se Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë punësuar mercenarë kolumbianë për të luftuar në radhët e forcave paramilitare sudaneze, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF).
Raporti, i dorëzuar javën e kaluar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe i siguruar nga Middle East Eye, përshkruan në detaje se si kompania Global Security Services Group (GSSG), me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe me lidhje të ngushta me qeverinë, i transportoi kolumbianët drejt Sudanit përmes Libisë, Somalisë dhe Çadit, ku përfaqësues të mbështetur nga Emiratet kontrollojnë territore të gjera.
Hetuesit e OKB-së dëshmojnë gjithashtu se “baza e Forcave Policore Detare të Puntlandit (PMPF), të lidhura me Emiratet e Bashkuara Arabe, në Bosaso të Somalisë, është përdorur si pikë tranziti dhe/ose trajnimi për mercenarët kolumbianë përpara se të dërgoheshin në Sudan”.
Middle East Eye dhe media të tjera kanë raportuar më herët për përdorimin e mercenarëve kolumbianë dhe të porteve të Bosasos dhe Berberës nga Emiratet dhe RSF-ja. Kjo e fundit është konstatuar nga OKB-ja dhe Shtetet e Bashkuara se ka kryer gjenocid në Darfur, në Sudanin perëndimor.
Armët dhe furnizimet e tjera janë transportuar me avionë dhe rrugë tokësore drejt RSF-së, përmes territoreve të kontrolluara nga familja Haftar dhe milicitë e saj në Libi, si dhe përmes Etiopisë, Çadit dhe dy rajoneve separatiste në Somali që kanë lidhje të ngushta me Emiratet: Puntlandit dhe Somalilandit, ky i fundit i njohur nga Izraeli.
Emiratet e Bashkuara Arabe dhe entitetet e tjera të përfshira në këtë rrjet kanë mohuar çdo shkelje. Ministria e Jashtme e Emirateve nuk iu përgjigj kërkesës së Middle East Eye për koment lidhur me këtë artikull.
Megjithatë, ky raport i katërt tremujor i Panelit të Ekspertëve të OKB-së për Sudanin, i shënuar si rreptësisht konfidencial dhe që nuk do të bëhet publik, do të jetë më i vështirë për t’u hedhur poshtë nga Abu Dhabi. Në një letër të përfshirë në raport, Emiratet deklarojnë se “hedhin poshtë çdo akuzë për shkelje në lidhje me konfliktin në Sudan” dhe se “i marrin shumë seriozisht akuzat për mercenarët”.
Sipas raportit, mercenarët kolumbianë “luajtën një rol të rëndësishëm në operacionet ushtarake të RSF-së në Darfur, veçanërisht gjatë rrethimit dhe pushtimit të El-Fasherit”.
“Mercenarët ofruan mbështetje luftarake dhe teknike, përfshirë operimin e dronëve, mbështetjen me artileri dhe atë të këmbësorisë”, thuhet në raport. “Ata u trajnuan dhe u dërguan përmes një rrjeti objektesh dhe rrugësh tranziti që përfshinte Emiratet e Bashkuara Arabe, Somalinë, Libinë lindore dhe Çadin”.
Në tetor të vitit të kaluar, RSF-ja mori kontrollin e qytetit El-Fasher, kryeqytetit të Darfurit Verior, pas një rrethimi që zgjati më shumë se 500 ditë.
Viktimat dhe dëshmitarët okularë i thanë Middle East Eye se gjatë këtij operacioni, luftëtarët e RSF-së përdhunuan, ekzekutuan dhe zhvaten mijëra civilë. Ata ngritën gjithashtu klinika të improvizuara, ku u merrnin gjak viktimave të ndaluara.
Sipas hetuesve të OKB-së, mercenarët u trajnuan në Abu Dhabi, Ghayathi dhe Al-Wathba, të gjitha në Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe në bazën e PMPF-së në Bosaso, në rajonin gjysmëautonom të Puntlandit në Somali.
“Forcat ushtarake të Emirateve financuan, trajnuan dhe mbikëqyrën PMPF-në”, thuhet në raport.
Lana Nusseibeh, kandidatja e Emirateve për sekretare të përgjithshme të OKB-së
Këto prova, të cilat raporti i cilëson përfundimtare për përfshirjen e Emirateve në luftën e Sudanit, që vazhdon që nga prilli i vitit 2023, dalin në një kohë kur Lana Nusseibeh, një prej diplomateve më të larta të shtetit të Gjirit, po zhvillon fushatën për t’u bërë sekretarja e ardhshme e përgjithshme e OKB-së.
Ambasadori i Sudanit në Mbretërinë e Bashkuar, Babiker al-Siddig al-Amin, i tha Middle East Eye se kandidatura e Nusseibeh nuk duhet të përdoret për të “pastruar imazhin” e mbështetjes së Emirateve për RSF-në në Sudan.
“Ata që kanë duart e përgjakura nga gjaku i popullit sudanez nuk duhet të drejtojnë institucionet ndërkombëtare”, deklaroi ambasadori.
“OKB-ja duhet të jetë shumë e kujdesshme, sepse nëse Nusseibeh zgjidhet, kjo do të ishte një goditje e rëndësishme për besueshmërinë e saj. Roli i OKB-së nuk duhet marrë kaq lehtë”.
E lindur në Abu Dhabi, në një familje të njohur palestineze, Nusseibeh ndoqi një shkollë private me konvikt në Angli, përpara se të studionte në Universitetin e Kembrixhit dhe më pas në Universitetin SOAS të Londrës.
Në vitin 2013, ajo u bë përfaqësuesja e parë e përhershme femër e Emirateve në OKB, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 2024. Gjatë kësaj periudhe, ajo shërbeu si nënkryetare e Asamblesë së Përgjithshme, presidente e bordit ekzekutiv të UN Women dhe dy herë presidente e Këshillit të Sigurimit.
Nusseibeh luajti një rol kyç në normalizimin zyrtar të marrëdhënieve të Emirateve me Izraelin në vitin 2020. Colin Shindler, një ish-profesor i saj në SOAS, deklaroi në të njëjtin vit se ajo kishte shkruar disa ese “jashtëzakonisht depërtuese dhe të mprehta mbi sionizmin dhe historinë e Izraelit”.
Prej vitesh, Nusseibeh ka mohuar raportimet që përshkruajnë përfshirjen e Abu Dhabit në luftën e Sudanit. E pyetur në intervistat e fundit nëse mund të ishte e paanshme për çështjen e Sudanit në postin e sekretares së përgjithshme të OKB-së, ajo është përgjigjur pozitivisht, pa trajtuar drejtpërdrejt mbështetjen e Emirateve për RSF-në.
“Kam qenë e qartë se mizoritë e kryera nga RSF-ja duhet të përballen me përgjegjësi dhe se do të mbështesja punën e mekanizmave të OKB-së për verifikimin e fakteve”, i tha Nusseibeh këtë javë revistës Politico.
Lidhjet e Këshillit të Sigurimit me Emiratet
OKB-ja pritet të emërojë pasardhësin e sekretarit të përgjithshëm aktual, Antonio Guterres, deri në fund të këtij viti. Pesë vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, të cilat kanë të drejtën e vetos – SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina – mbajnë të gjitha marrëdhënie të rëndësishme ekonomike dhe diplomatike me Emiratet.
Deri në tetor, gara për pasardhësin e Guterresit dominohej nga kandidatë të qendrës ose të krahut të majtë nga Amerika Latine. Por presidenti amerikan Donald Trump, i cili e ka cilësuar OKB-në si të prirur drejt “një agjende të ekstremit të majtë të burokratëve globalistë”, i refuzoi të gjithë.
Nusseibeh renditet pas kandidatëve të tjerë në sondazhet paraprake për këtë post, ndërsa aktualisht në krye është Rebeca Grynspan nga Kosta Rika.
Megjithatë, Emiratet janë aleat strategjik i ngushtë dhe investitor i madh në SHBA, Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Sundimtari i Abu Dhabit, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, të cilin presidenti Donald Trump e quan “luftëtar”, ka premtuar investime prej 1.4 trilion dollarësh në SHBA, përfshirë sektorin e inteligjencës artificiale.
Emiratet kanë premtuar miliarda euro investime në Francë, ndërsa në vend presin një bazë ushtarake franceze dhe një filial të muzeut Louvre në Abu Dhabi.
Ato kanë investuar gjithashtu miliarda paund në Mbretërinë e Bashkuar, ku zëvendëspresidenti i Emirateve, Mansour bin Zayed Al Nahyan, zotëron klubin e futbollit Manchester City, si dhe një pjesë të konsiderueshme të qytetit të Mançesterit. Ish-kryetari i këtij qyteti, Andy Burnham, tashmë është kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar.
Kina është partneri më i madh tregtar i Emirateve, ndërsa Rusia ka arritur të anashkalojë sanksionet perëndimore të vendosura pas luftës në Ukrainë, duke përdorur kanale përmes Dubait dhe Abu Dhabit.
Presion ndaj Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur Emiratet
Burime diplomatike i kanë thënë Middle East Eye se SHBA-ja, Rusia, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar po anojnë drejt mbështetjes së kandidaturës së Nusseibeh, ndërsa Kina nuk është në favor të saj.
Disa burime brenda Partisë Laburiste britanike, si dhe në organizata humanitare me seli në Nju-Jork dhe Uashington, i thanë Middle East Eye se David Miliband, drejtues i Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit (IRC), i ka thënë vëllait të tij, Ed Milibandit, ministrit të Jashtëm të Britanisë, se Mbretëria e Bashkuar duhet ta mbështesë kandidaturën e mikes së tij, Nusseibeh.
IRC-ja i mohoi këto pretendime, duke deklaruar se as organizata dhe as David Miliband nuk kanë mbajtur qëndrim për kandidatët për sekretar të përgjithshëm të OKB-së.
Një zëdhënës i Zyrës së Jashtme, të Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar i tha Middle East Eye:
“Prioriteti i Mbretërisë së Bashkuar është të gjejë kandidatin më të aftë për ta udhëhequr OKB-në në përballimin e sfidave globale që kemi të përbashkëta.
“Fokusi ynë është te meritat e kandidatëve, me qëllim sigurimin e kandidatit më të kualifikuar për postin e sekretarit të përgjithshëm të ardhshëm të OKB-së. Ne nuk do të komentojmë publikisht për kandidatë të veçantë”.
Zëdhënësi tha se Mbretëria e Bashkuar mbështet “punën jetike” të Panelit të Ekspertëve të OKB-së.
“Qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen e jashtme ndaj palëve ndërluftuese është i qartë. Çdo mbështetje e jashtme shërben vetëm për të nxitur gjakderdhjen dhe duhet të marrë fund”, deklaroi ai.
“Për këtë arsye, që nga fillimi i konfliktit kemi vendosur gjashtë raunde sanksionesh, duke shënjestruar komandantët ushtarakë dhe mercenarët kolumbianë, si dhe rrjetet e paligjshme të tregtisë së arit me bazë në Dubai dhe Hong-Kong, të cilat po e ushqejnë konfliktin”.
Qeveria britanike është akuzuar më parë nga Nathaniel Raymond, drejtor ekzekutiv i Laboratorit të Kërkimeve Humanitare në Universitetin Yale, i cili monitoron luftën në Sudan dhe informon disa qeveri, se nuk ka denoncuar mbështetjen e Emirateve për RSF-në.
Në prill të vitit 2024, Emiratet anuluan takimet me ministrat britanikë, pasi ishin të zemëruara që Mbretëria e Bashkuar nuk doli në mbrojtje të Abu Dhabit gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për luftën në Sudan.
Një burim nga qeveria britanike i tha Middle East Eye se një ministër britanik, i cili po udhëtonte drejt Emirateve në atë kohë, u detyrua të kthehej në mes të fluturimit. Burimi shtoi se Britania nuk kishte pasur si qëllim t’i linte Emiratet pa mbrojtje gjatë takimit.
Raporti vjetor i OKB-së u bllokua
Raporti tremujor i hetuesve të OKB-së, i cili do të mbetet konfidencial, vjen pas një raporti tjetër të hartuar gjatë këtij viti. Edhe ai raport pohonte se Emiratet kishin furnizuar RSF-në me mercenarë dhe se këta luftëtarë kishin marrë pjesë në sulmin ndaj El-Fasherit.
Pasi hetuesit paraqitën provat e tyre para Këshillit të Sigurimit të OKB-së në korrik, ambasadori i Emirateve në OKB kërkoi që ata të “korrigjonin menjëherë mangësitë serioze” të raportit.
Bahreini, një aleat i ngushtë i Emirateve dhe anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, e ka bllokuar raportin prej muajsh.
Në shtator, kompania Anthropic konstatoi me “besueshmëri të lartë” se Emiratet qëndronin pas një operacioni ndikimi që kishte në shënjestër ekspertët e OKB-së dhe kritikët e rolit të tyre në Sudan.
GSSG-ja, kompania që dërgoi mercenarët kolumbianë, është themeluar nga një zyrtar i lartë i presidencës së Emirateve, raportoi të enjten gazeta The New York Times.
Në faqen e saj zyrtare, kompania përshkruhet si “ofrues i preferuar i shërbimeve të sigurisë” për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Çështjeve Presidenciale të Emirateve të Bashkuara Arabe. /MEE/



