Shkëlqen aktori nga Shkupi, Bejtulla Kerimi – prezanton kulturën shqiptare gjithandej nëpër botë

Aktori nga Shkupi Bejtulla Kerimi po vazhdon të korrë suksese në skenën ndërkombëtare të artit rrugor duke përfaqësuar Maqedoninë e Veriut në festivale të njohura në rajonin e Ballkanit dhe Evropës.

Së bashku me produksionin “Teatrosk”, i cili prej më shumë se 15 vitesh vepron në fushën e artit dhe argëtimit gjatë muajve të fundit ai ka marrë pjesë në disa festivale prestigjioze të artit rrugor në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Slloveni, ku është paraqitur me performancën e tij të veçantë si “statujë e gjallë” (Living Statue). Ky lloj arti kërkon përgatitje të veçantë fizike dhe artistike, pasi performuesi qëndron për periudha të gjata pa lëvizur duke krijuar iluzionin e një skulpture të vërtetë dhe duke mahnitur mijëra vizitorë. Në kuadër të këtij bashkëpunimi edhe Bejtulla Kerimi është bërë pjesë e programeve ndërkombëtare të festivaleve të njohura të artistëve rrugorë, ndërsa performancat e tij kanë tërhequr vëmendjen e publikut dhe mediave lokale.

Përmes rolit të tij si “statujë e gjallë”, Kerimi sjell një formë të veçantë të artit teatror dhe promovon Shkupin, Maqedoninë e Veriut, ndërsa njëkohësisht përfaqëson me krenari edhe komunitetin shqiptar në skena ndërkombëtare. Pjesëmarrja e tij në këto ngjarje dëshmon se artistët nga vendi mund të jenë pjesë e denjë e festivaleve më të rëndësishme të artit në rajon.

Me paraqitjet e tij në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Slloveni, në bashkëpunim me produksionin “Teatrosk”, Bejtulla Kerimi vazhdon të jetë një ambasador i artit dhe një shembull i përkushtimit artistik që tejkalon kufijtë e vendit duke kontribuar gjithashtu në promovimin e artistëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button