Shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Sot është Dita e Alfabetit Shqip, i cili u unifikua 116 vjet më parë në Kongresin e Manastirit.
Kjo festë është paralajmëruar të jetë tradicionale dhe sa më shumë të marrë jehonë në mbarë trevat shqiptare.
Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908. Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.
Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.
Në vendin tonë dita e sotme është ditë feste dhe nuk punohet. Kujtojmë se në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.