Kryeministri i Shqipërisë propozon ashpërsimin e ligjeve për protestat mes demonstratave studentore
Paketa e propozuar ligjore parashikon vendosjen e gjobave për organizimin e protestave të paautorizuara, moszbatimin e urdhrave për t’u shpërndarë, mbajtjen e maskave gjatë protestave dhe bllokimin e qarkullimit rrugor.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar planet për ashpërsimin e legjislacionit për demonstratat, ndërsa në kryeqytet, Tiranë, vijojnë protestat e udhëhequra nga studentët, të cilët kërkojnë përmirësimin e kushteve në arsim.
Protestat, të cilat nisën më 13 tetor, hynë të dielën në ditën e tyre të 13-të, duke marrë mbështetjen e nxënësve të shkollave të mesme, pedagogëve të universiteteve, qytetarëve dhe sindikatave. Disa prej demonstratave janë shoqëruar me dhunë.
Protestuesit marshuan nëpër rrugët dhe sheshet e kryeqytetit, duke u mbledhur fillimisht përpara Ministrisë së Arsimit, ku hodhën gurë në drejtim të godinës, përpara se të zhvendoseshin drejt Kryeministrisë.
Tensionet u përshkallëzuan pasi demonstruesit hodhën gurë në drejtim të policisë dhe institucioneve publike, ndërsa forcat e sigurisë u përgjigjën me gaz lotsjellës. Disa protestues mbetën të plagosur gjatë përplasjeve, ku herë pas here u përdorën edhe kokteje molotov.
Rama përsëriti thirrjet për dialog, por protestuesit i refuzuan ato dhe deklaruan se do t’i vijojnë demonstratat.
Masat e propozuara synojnë rregullimin e sjelljes gjatë protestave
Rama tha se ligji aktual që rregullon demonstratat daton që nga viti 2001 dhe nuk përfshin mjetet digjitale, të cilat janë kthyer në një pjesë kyç të organizimit dhe zhvillimit të protestave.
Paketa e propozuar ligjore parashikon vendosjen e gjobave për organizimin e protestave të paautorizuara, moszbatimin e urdhrave për t’u shpërndarë, mbajtjen e maskave gjatë protestave dhe bllokimin e qarkullimit rrugor.


