Shefi i OBSH-së shkon në epiqendrën e Ebolës – Brazili po heton rastin e dyshuar

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH/WHO) ka vizituar provincën më të goditur nga shpërthimi i Ebola-s në Republikën Demokratike të Kongos (RDK), duke u bërë thirrje banorëve të kërkojnë trajtim dhe të praktikojnë varrime të sigurta.

Virusi po përhapet më shpejt sesa reagimi ndaj tij, një fakt që drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e kishte theksuar më herët këtë javë para se të udhëtonte drejt kryeqytetit Kinshasa të enjten.

Vizita e tij u zhvillua ndërsa Brazili njoftoi të shtunën se po heton një rast të dyshuar me Ebola në shtetin Sao Paulo, që përfshin një burrë i cili kishte udhëtuar së fundmi në RDK. Autoritetet braziliane thanë se ai është vendosur në izolim në një spital të specializuar.

Pas takimit me kryeministren Judith Suminwa Tuluka të premten, Tedros udhëtoi të shtunën në Bunia, kryeqytetin e provincës lindore Ituri, ku rastet e para u konfirmuan në fillim të këtij muaji.

Gjatë një konference për media së bashku me ministrin e Shëndetësisë të RDK-së, ai tha se varianti i rrallë Bundibugyo nuk ka ende trajtime apo vaksina të aprovuara, ndaj kujdesi i hershëm paliativ – përfshirë izolimin, hidratimin dhe menaxhimin e dhimbjes – është jetik.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e varrimeve të sigurta, duke paralajmëruar se trupat e viktimave të Ebola-s janë shumë ngjitës. “E kuptoj sa e dhimbshme është të humbasësh dikë dhe sa e rëndësishme është ta nderosh atë siç duhet”, tha ai.
Raportohet se ka pasur disa sulme ndaj qendrave shëndetësore nga turma që kërkojnë të marrin trupat për varrime tradicionale, të cilat nuk përdorin pajisje mbrojtëse.

OBSH bëri të ditur se deri të premten ishin regjistruar 906 raste të dyshuara me Ebola në RDK, përfshirë 223 vdekje të dyshuara që janë ende nën hetim. Ministri i Shëndetësisë, Samuel Roger Kamba, tha më vonë se janë identifikuar 1,028 raste të dyshuara dhe 225 raste të konfirmuara.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button