SHBA: Irani po përgatitet për një sulm ndaj Izraelit

Irani po përgatitet të nisë “së shpejti” një sulm me raketa balistike ndaj Izraelit, sipas një zyrtari të lartë të administratës amerikane.

Zyrtari gjithashtu paralajmëroi për “pasoja të rënda” nëse sulmi ndodh.

Njoftimi u bë i ditur pasi ushtria izraelite filloi, siç tha, një operacion të kufizuar tokësor kundër grupit Hezbollah, në Liban. Izraeli paralajmëroi banorët që të largoheshin nga disa dhjetëra fshatra kufitare të Libanit me Izraelin.

“Irani do të përballet me pasoja të rënda nëse kryen një sulm me raketa balistike”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë duke folur për shtypin amerikan në kushte anonimiteti.

Zyrtari tha se Teherani duket se po përgatitet të fillojë në çdo moment një sulm me raketa balistike ndaj Izraelit.

Por, media shtetërore e Iranit nuk ka njoftuar për ndonjë sulm të afërt.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha se ushtria është e gatshme të mbrohet dhe shtoi se Izraeli dhe aleatët e tij janë në një gjendje të lartë gatishmërie dhe çdo sulm nga Irani do të kishte pasoja.

Disa orë para këtij njoftimi Hagari tha se ushtria izraelite kishte filluar një operacion të pjesshëm tokësor në disa fshatra kufitare libaneze.

Siç raportohet, qëllimi i operacionit është të goditen zonat e kontrolluara nga grupi militant Hezbollah, që ka mbështetjen e Iranit.

“Hezbollahu i ktheu fshatrat libaneze pranë fshatrave izraelite në baza ushtarake, nga ku mund të kryejë sulme ndaj Izraelit. Hezbollahu ishte përgatitur t’i përdorte ato si terrene për një sulm të llojit të 7 tetorit, në shtëpitë izraelite”, tha Hagari.

Bëhet e ditur se përshkallëzimi i situatës ka alarmuar disa shtete për rrezikun e shpërthimit të një lufte të gjerë.

Sekretari i Jashtëm britanik David Lammy tha se çmimi i një lufte rajonale do të ishte “i madh”.

“Ne po flasim me kolegët dhe homologët iranianë. Askush nga ne nuk dëshiron të shohë një luftë rajonale. Çmimi do të ishte i madh për Lindjen e Mesme dhe do të kishte ndikim edhe në ekonominë globale”, tha kryediplomati britanik Lammy.

Ndërkohë, Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, e pranoi se ditët në vijim nuk do të jenë të lehta.

“Ne kemi ditë të rënda përpara nesh, ditë sfiduese dhe mendoj se kemi dërguar njerëz atje të cilëve mund t’u besojmë”, tha Gallant.

Ndryshe, Izraeli së fundmi i ka dhënë goditje të rëndë Hezbollahut duke vrarë drejtuesin e tij Hassan Nasrallah në Bejrut javën e kaluar. /VOA/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button