“Free Xhaka”, tifozët zviceranë i dalin në krah Granit Xhakës në ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut

Granit Xhaka nuk ishte pjesë e grumbullimit të Zvicrës për ndeshjet e para në Ligën e Kombeve, por mungesa e tij nuk i ka penguar tifozët zviceranë që ta shfaqin mbështetjen për kapitenin.
Në ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut, të zhvilluar në Shkup, ku Zvicra triumfoi me rezultat 3:0, nga tribunat u dëgjuan disa herë thirrjet “Granit Xhaka! Granit Xhaka!”.
Mbështetja për mesfushorin shqiptar u shfaq edhe përmes një flamuri me mbishkrimin “Free Xhaka”.
Sipas mediumit zviceran “Blick”, edhe pse Xhaka nuk ishte në fushë, tifozët dëshmuan se vazhdojnë ta mbështesin atë.
Pas ndeshjes, për mungesën e kapitenit foli edhe mesfushori Remo Freuler.
“Për Granit Xhakën nuk kemi nevojë të flasim. Ai nuk mund të zëvendësohet. Shpresojmë që Graniti të rikthehet shpejt dhe që kjo çështje të zgjidhet”, deklaroi Freuler pas fitores.
Xhaka mungoi në këtë grumbullim në kohën kur po përballet me çështjen e certifikatës së vaksinimit kundër COVID-19.



