SHBA, 6 migrantë gjenden të vdekur në një vagon treni në Teksas

Gjashtë migrantë, përfshirë një djalë 14-vjeçar, janë gjetur të vdekur brenda një vagoni treni në qytetin Laredo të Teksasit në SHBA, transmeton Anadolu.
Sipas “The Washington Post”, zyrtarët thanë se tre nga viktimat ishin meksikanë, ndërsa tre të tjerët ishin “të konfirmuar ose të dyshuar” si shtetas të Hondurasit.
Shefi i policisë së qytetit Laredo, Miguel Rodriguez tha se autoritetet besojnë se migrantët ishin viktima të një operacioni të kontrabandës me njerëz. Ai shtoi se autoritetet federale po vazhdojnë hetimet për vdekjet.
Rodriguez tha se treni ishte nisur nga Long Beach më 7 maj dhe kishte mbërritur në Del Rio të shtunën. Autoritetet besojnë se migrantët kishin hyrë në vagon atje.
Trupat e pajetë u zbuluan pasi treni mbërriti në zonën e qytetit Laredo të dielën pasdite.
Kryetari i bashkisë Laredo, Victor Trevino tha se gjetjet paraprake mjekësore tregojnë se viktimat ka shumë gjasa të kenë vdekur nga goditja e nxehtësisë disa orë para se të gjenden.



