Samiti i NATO-s në Ankara: Drejtori i kompanisë turke “Baykar” thekson bashkëpunimin brenda aleancës

Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë turke Baykar, Haluk Bayraktar tha se vendet e NATO-s mund t’i zhvillojnë më shpejt kapacitetet e tyre të mjeteve ajrore pa pilot (IHA) përmes partneriteteve, raporton Anadolu.

Bayraktar mori pjesë në panelin me titull “Nga Inovacioni te Prodhimi Masiv: Ndërtimi i Epërsisë së Dronëve të Armatosur (IHA) të NATO-s”, të organizuar në kuadër të Forumit të Industrisë së Mbrojtjes gjatë Samitit të 36-të të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s.

Haluk Bayraktar theksoi se për t’iu përgjigjur nevojës në rritje për Dronëve të Armatosur (IHA) në mjedisin e luftës, nevojiten cikle më të shkurtra zhvillimi, kohë më të shkurtra prodhimi dhe kapacitete të shkallës së lartë.

“Në qasjen tonë në Turqi, për kompanitë e përmasave të mëdha si ne, ne as nuk presim që të shfaqet kërkesa për të krijuar kapacitete. Siç e shohim nga terreni, ka një nevojë të madhe për këto teknologji. Megjithatë, nëse flasim për sipërmarrjet e reja dhe start-up-et, kjo kërkesë prej miliarda dollarësh për të cilën po flasim është shumë e rëndësishme për ta, që t’i krijojnë vetë këto kapacitete”, shtoi ai.

Bayraktar tha se Baykar sot punon me 40 vende, një pjesë e të cilave janë anëtare të NATO-s, dhe se dëshirojnë t’i zhvillojnë më tej marrëdhëniet me vendet e NATO-s.

Ai thekson se kanë krijuar kapacitete të rëndësishme prodhuese në Turqi. “Shumica e klientëve tanë janë jashtë NATO-s, por ne duam të vendosim më shumë marrëdhënie me vendet e NATO-s. Kemi krijuar kapacitete të rëndësishme prodhuese në Turqi. Ne jemi eksportuesi më i madh i dronëve të armatosur (IHA). Nga avionët luftarakë pa pilot e deri te platformat e klasit strategjik, ne po zhvillojmë projektet ku është investuar në shkallën më të madhe në këtë fushë në 25 vitet e fundit”, tha Bayraktar duke shtuar:

“Me kompaninë ‘Leonardo’, në modelin tonë kemi themeluar ndërmarrjen e përbashkët ‘Leonardo Baykar Aerospace Systems, LBA Systems’. Bashkëpunimi është shumë më i shpejtë se sa të përpiqemi të shpikim gjithçka nga fillimi apo të konkurrojmë. Ne kemi platformat dhe sistemet tona. Edhe ‘Leonardo’ ka ngarkesa të dobishme shume të fuqishme, radarë, sisteme elektronike dhe ngarkesa të ndryshme misioni. Është e nevojshme të krijohet sinergji duke bërë bashkë më të mirët, duke i bashkuar këto kapacitete. Në vend që të zhvillohet gjithçka nga zeroja, parësore duhet të jetë bashkimi i këtyre forcave”.

Duke shpjeguar se modeli i partneritetit synon zhvillimin e teknologjive të reja së bashku, në vend të transferimit të pronësisë intelektuale ekzistuese, Bayraktar bëri këtë vlerësim:

“Ndarja e teknologjisë sigurisht që mund të ndodhë, por çështja nuk është ndarja e pronësisë intelektuale. Nën ndërmarrjet e përbashkëta, synohet krijimi i pronësive të reja intelektuale mbi ato ekzistuese të palëve dhe ndërtimi i tyre mbi kapacitetet aktuale. Ne po investojmë prej 25 vitesh. Ngritja e këtij kapaciteti nga zeroja në një vend tjetër mund të marrë dekada. Megjithatë, përmes bashkëpunimit, mund të fillohet menjëherë zhvillimi i teknologjisë së përparuar dhe krijimi i një sipërmarrjeje superiore”.

 

– “Kapaciteti i FPV-ve duhet të jetë në çdo vend”

Bayraktar tha se ekosistemi i industrisë turke të mbrojtjes është rritur ndjeshëm në 20 vitet e fundit. “Para 20 viteve, Turqia kishte vetëm 17 kompani në industrinë e mbrojtjes. Sot ka mbi 3 mijë kompani. Eksportin e mbrojtjes, i cili në atë kohë ishte 250 milionë dollarë, sot e realizojmë brenda një jave. Eksporti ynë i mbrojtjes ka arritur në nivelin e 450 milionë dollarëve në javë dhe në total mbi 10 miliardë dollarë”, shtoi ai.

Duke u shprehur se brenda NATO-s ka vende të mëdha dhe të vogla, Bayraktar tha: “Në vend që të përpiqemi të ngremë të njëjtin kapacitet nga zeroja kudo, ndarja e kapaciteteve dhe krijimi i sinergjisë është shumë më efikas”.

Bayraktar potencoi se nevojiten modele të ndryshme prodhimi dhe bashkëpunimi sipas llojeve të dronëve. “Dronët po zënë gjithnjë e më shumë vend në jetën tonë dhe tani janë ndër elementët kryesorë të mjediseve të luftës. Ka kërkesë, ka domosdoshmëri. Ajo që shohim në terren tregon qartë se ka një nevojë shumë të madhe për këto teknologji. Mes IHA-ve ka nga ato të klasit të avionëve luftarakë, të klasit strategjik dhe dronëve të vegjël”, tha ai.

Më tej Bayraktar tha se “Në FPV (mjete fluturuese me shikim në kohë reale), çdo vend duhet të krijojë kapacitetin e tij. Këto janë pothuajse si municione, çdo vend ka nevojë për një prodhues plumbash. Megjithatë, për të krijuar këtë kapacitet tek dronët e klasit të avionëve luftarakë, ka nevojë për aleanca. Besoj se kjo është shumë më e dobishme”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button