Sali Berisha “çet tym për goje” kundër Iranit, mbron Izraelin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj Iranit në një status të publikuar në rrjetet sociale, duke komentuar zhvillimet më të fundit të përshkallëzimit ushtarak mes Izraelit dhe Republikës Islamike të Iranit.
“Diktatura teokratike e Ajetullahëve të Teheranit drejt fundit të merituar!”, shkruan Berisha, duke përshëndetur goditjet ajrore të Izraelit – të cilat sipas tij janë mbështetur nga SHBA – si një hap vendimtar kundër “elitës terroriste” të Gardës Revolucionare dhe regjimit “obskurantist dhe destabilizues”.
“Goditjet në zemër të regjimit nga forcat ajrore izraelite të mbështetura nga SHBA, asgjësimi i elitës terroriste të Gardës dhe të ushtrisë së Ajetullahëve, sistemeve mbrojtëse dhe impianteve bërthamore dhe objekteve të tjera strategjike, po çojnë drejt fundit të merituar regjimin diktatorial, obskurantist, luftënxitës e destabilizues të Teheranit,” deklaron Berisha me tone të ashpra.
Ai thekson se rrëzimi i regjimit të Teheranit nuk është vetëm në interes të popullit iranian, por do të shërbente si një “fitore e vërtetë për paqen dhe bashkëpunimin në Lindjen e Mesme.”
Sipas tij, Partia Demokratike e Shqipërisë beson se “fundi sa më i shpejtë i regjimit obskurantist të Ajetullahëve, armik i egër i kombit iranian dhe lirive të tij, shënon çlirimin e këtij kombi të madh dhe një fitore për paqen.”