Rusia: Raketa e re e përdorur ndaj Ukrainës do t’i tregojë Perëndimit se veprimet e tyre nuk do të mbeten pa përgjigje

Deklarata e djeshme e presidentit rus Vladimir Putin përcolli një paralajmërim të qartë se veprimet “e pamatura” të Perëndimit nuk do të mbeten pa përgjigje, tha sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, transmeton Anadolu.
“Mesazhi thelbësor është se vendet perëndimore, të cilat prodhojnë raketa, e furnizojnë Ukrainën me to dhe lehtësojnë sulmet ndaj territorit rus, nuk mund të presin që veprimet e tyre të shkojnë pa përgjigje”, tha Peskov në një konferencë për shtyp në Moskë.
Putin, në një fjalim televiziv të enjten, tha në përgjigje të autorizimit të SHBA-së dhe aleatëve të saj në NATO për përdorimin e armëve të tyre me precizion të lartë me rreze të gjatë për sulme brenda Rusisë, se Moska goditi një uzinë raketash në qytetin ukrainas Dnipro me raketën balistike hipersonike jobërthamore “Oreshnik”.
Ukraina sulmoi rajonin Bryansk të Rusisë të martën me gjashtë raketa taktike balistike “ATACMS” të prodhuara nga SHBA-ja, dhe të mërkurën sulme me “Storm Shadow” dhe “HIMARS” të prodhimit britanik u kryen në rajonin e Kurskut.
Në Kursk, sulmi kishte në shënjestër një nga postet komanduese ruse të grupit të forcave të Veriut dhe rezultoi me viktima.
Peskov tha se Putin mbetet i hapur për “çdo kontakt” që synon deeskalimin e konfliktit dhe gjetjen e një zgjidhjeje paqësore.
Duke lëshuar raketën Oreshnik, Rusia ka “demostruar qartë” shtrirjen e përgjigjes së saj të mundshme nëse shqetësimet e saj të sigurisë vazhdojnë të injorohen, shtoi ai.
Peskov tha se administrata amerikane u njoh me deklaratën e Putinit në lidhje me lëshimin e raketës, duke vënë në dukje tonin “gjithëpërfshirës, logjik dhe të qartë”.
Pavarësisht mungesës së komunikimit të drejtpërdrejtë, Moska ka besim se Washingtoni e ka kuptuar mesazhin, tha ai.
Lidhur me lëshimin e raketës Oreshnik, Peskov sqaroi se ajo nuk është një raketë balistike ndërkontinentale dhe për këtë arsye nuk kërkon njoftim paraprak për SHBA-në.
Megjithatë, për shkak të natyrës së tij balistike, një alarm standard i automatizuar u dërgua në Washington 30 minuta më parë përmes Qendrës Kombëtare të Rusisë për Reduktimin e Rrezikut Bërthamor, tha ai.
Rusia po punon gjithashtu në metoda për të paralajmëruar civilët ukrainas për sulmet e afërta me Oreshnik, tha ai.



