Rritet në mbi 200 numri i të vdekurve nga Ebola në RD të Kongos

Numri i të vdekurve nga virusi Ebola kaloi shifrën 200 të enjten ndërsa infektime janë rritur ndjeshëm në vatrën e shpërthimit në pjesën lindore të Republikës Demokratike të Kongos, njoftoi Qendra Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC) në përditësimin e saj të fundit, transmeton Anadolu.

Rastet e konfirmuara të sëmundjes janë rritur në 875, përfshirë 202 vdekje që nga shpallja e shpërthimit më 15 maj, me një shkallë vdekshmërie prej 23 për qind, treguan të dhënat e Afrikës CDC. Virusi po përhapet në provincat lindore të Iturit, Kivu Verior dhe Kivu Jugor, ku Ituri përbën gati 95 për qind të rasteve.

Ndërkohë, 19 raste, përfshirë dy vdekje, janë konfirmuar në Ugandën fqinje. Kapaciteti i testimit dhe mbikëqyrja dixhitale janë rritur për të mbyllur boshllëkun e zbulimit, tha Afrika CDC.

Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Afrikë, Jean Kaseya paralajmëroi se ky shpërthim mund të jetë më i keq se ai që u pa në epideminë e Afrikës Perëndimore në vitet 2014-2016 që mori mbi 11 mijë jetë njerëzish në Guine, Liberi dhe Sierra Leone, nëse transmetimi nuk vihet nën kontroll shumë shpejt.

Ministri i Shëndetësisë së RD të Kongos, Roger Kamba vizitoi të enjten kryeqytetin provincial të Iturit, Bunia, për të vlerësuar progresin e reagimit, vështirësitë e hasura dhe strategjitë e reja për të përshpejtuar kontrollin e sëmundjes. Donatorët dhe partnerët premtuan 910 milionë dollarë për të mbështetur reagimin ndaj Ebolës në RD të Kongos dhe Ugandë, tha Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Afrikë.

Premtimet u bënë gjatë një takimi të kohëve të fundit të udhëheqësve dhe partnerëve afrikanë të dedikuar për shpërthimin aktual të sëmundjes. Në një deklaratë, organi shëndetësor tha se shuma përfshin 80 milionë dollarë nga shtetet anëtare të Unionit Afrikan drejt një objektivi prej 100 milionë dollarësh.

Ai u bëri thirrje institucioneve financiare, donatorëve dhe partnerëve që t’i shndërrojnë premtimet në burime të shpërndara shpejt dhe mbështetje prioritare në natyrë, përfshirë automjete, ambulanca, laboratorë dhe kapacitet trajtimi dhe izolimi si dhe pajisje mbrojtëse personale.

Rreth 518 milionë dollarë janë ndarë në një plan të përbashkët kontinental reagimi dhe përgatitjeje të CDC-së së Afrikës dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili u lançua më parë këtë muaj, për periudhën qershor-nëntor. RD e Kongos dhe Uganda ndanë financim fillestar prej 50 milionë dollarësh dhe 5 milionë dollarësh, përkatësisht, në planet e tyre kombëtare të reagimit.

Shkencëtarët nga Departamenti i Laboratorit Kombëtar të Shëndetit dhe Shërbimeve Diagnostikuese i Ministrisë së Shëndetësisë së Ugandës dhe Instituti i Kërkimeve Biomjekësore Kombëtare të Kongos thanë se lloji aktual, Ebola Bundibugyo, erdhi nga një përhapje e re e jetës së egër, duke përjashtuar mundësinë që ai të mund të jetë i lidhur me një vatër të vjetër që fshihej ose vazhdonte të përhapej pa u zbuluar.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button