Ministrat izraelitë sfidojnë zv/presidentin amerikan Vance për marrëveshjen me Iranin

Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir dhe ai i Kulturës dhe Sportit, Miki Zohar, kanë sfiduar deklaratat e fundit të zv/presidentit amerikan, JD Vance, i cili kritikoi disa zyrtarë izraelitë për kundërshtimin e marrëveshjes së sapo-nënshkruar mes SHBA-së dhe Iranit dhe për sulmet “shumë personale” ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, mbi këtë çështje, transmeton Anadolu.
“Ky është propozimi, JD Vance: Të merremi me nazistët e shekullit të 21-të, ashtu siç u mor SHBA-ja me nazistët e shekullit të 20-të”, shkroi ministri izraelit Ben-Gvir në rrjetin social amerikan X, duke iu përgjigjur pyetjes së drejtuar kritikëve të marrëveshjes nga zv/presidenti Vance: “Cili është saktësisht propozimi juaj?”.
“Keni parë njerëz në sistemin e tyre, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich, të cilët e kanë sulmuar marrëveshjen. Dhe mendoj se përgjigjja ime për ta do të ishte: Cili është saktësisht propozimi juaj? Ju jeni një vend me nëntë milionë banorë. Nuk mund të vrisni për të dalë nga çdo problem i sigurisë kombëtare që keni”, tha Vance për “The New York Times”.
Ndërkaq, ministri Zohar gjithashtu në X shkroi se informacionet e inteligjencës të siguruara nga Izraeli për SHBA-në kishin shpëtuar jetën e shumë qytetarëve amerikanë. “Teknologjitë e zhvilluara në Izrael përdoren nga ushtria e SHBA-së para kujtdo tjetër. Partneriteti mes Izraelit dhe SHBA-së është jetik për botën e lirë”, tha ai.
Dje, Vance kritikoi “panikun” izraelit lidhur me memorandumin e mirëkuptimit SHBA-Iran të nënshkruar së fundmi dhe kundërshtoi zyrtarët izraelitë që kanë kritikuar marrëveshjen. “Gjatë tre muajve të fundit, dy të tretat e armëve mbrojtëse që kanë mbrojtur vendin tuaj janë prodhuar nga duart amerikane dhe janë paguar nga taksapaguesit amerikanë”, tha ai.
Të mërkurën, presidenti Trump dhe presidenti Iranian, Masoud Pezeshkian, nënshkruan në mënyrë elektronike Memorandumin e Mirëkuptimit të Islamabadit, i cili synon të hapë rrugën për përfundimin e luftës së nisur nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit më 28 shkurt.
Sipas memorandumit, Washingtoni dhe Teherani do të zhvillojnë negociata që do të zgjasin 60 ditë, me mundësi zgjatjeje, me synimin për të arritur një marrëveshje përfundimtare që mbulon programin bërthamor të Iranit dhe sanksionet ndërkombëtare.



