Rritet në 31 numri i të vdekurve nga sulmi izraelit në Bejrut
Numri i të vdekurve nga sulmi ajror izraelit i së premtes në periferinë jugore të Bejrutit është rritur në 31, tha sot ministri libanez i Shëndetësisë, raporton Anadolu.
“Libani është dëshmitar i një krimi lufte, siç ishte evidente në sulmin izraelit në periferinë jugore”, tha Firas Al-Abiad në një konferencë shtypi.
Ai konfirmoi se në mesin e viktimave ishin shtatë gra, tre fëmijë të moshës katër, gjashtë dhe dhjetë vjeç dhe tre shtetas sirianë.
Al-Abiad tha se ka një numër të konsiderueshëm të pjesëve të trupit të paidentifikuara në vendngjarje, duke e komplikuar identifikimin e disa viktimave.
“Lufta në Liban vazhdon dhe ne po përgatitemi të përballemi me pasojat e saj”, shtoi ministri.
Ministri i Shëndetësisë raportoi se 68 persona të plagosur në sulm u transferuan në 12 spitale në gjithë Bejrutin. Prej tyre, 53 kanë dalë nga spitali, ndërsa 15 janë nën kujdesin mjekësor, mes tyre dy persona në gjendje kritike.
Ushtria izraelite tha të premten se vrau komandantin e lartë ushtarak të Hezbollahut, Ibrahim Aqil, së bashku me komandantë të lartë nga forcat elitare të grupit Radwan gjatë sulmit të saj ajror në periferinë jugore.
Sulmi ishte i treti nga Izraeli në periferinë jugore që kur filloi një valë e vazhdueshme armiqësish gati një vit më parë.
Sulmi ajror ndodhi në mes të një valë të re të përshkallëzimit izraelit në Liban, me ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant që njoftoi të enjten se konflikti me Hezbollahun ka hyrë në “një fazë të re”.