Rritet në 169 numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm në Kolumbi

Numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë të së hënës në Kolumbi është rritur në të paktën 169, duke shkaktuar shembjen e ndërtesave në shumë qytete, raportuan sot mediat lokale, transmeton Anadolu.
Të paktën 570 persona u plagosën në fatkeqësinë natyrore, sipas Shoqatës Kolumbiane të Kryeqyteteve. Cali dhe Pereira janë qytetet më të dëmtuara rëndë.
Më herët sot, presidenti kolumbian Abelardo De La Espriella tha se fatkeqësia shkaktoi dëme në 1.575 shtëpi, me 37 të shkatërruara plotësisht, 61 ndërtesa të shembura, 18 qendra shëndetësore të dëmtuara, 52 qendra arsimore të dëmtuara, 17 qendra komunitare të dëmtuara dhe 18 rrugë të dëmtuara.
Qeveria kolumbiane ka shpallur një situatë katastrofe kombëtare për të forcuar mobilizimin dhe koordinimin e kapaciteteve institucionale për t’iu përgjigjur emergjencës.
Tërmeti ndodhi në orën 7:34 të mëngjesit sipas kohës lokale, me epiqendrën e vendosur afërsisht 5 kilometra në lindje të qytetit San Jose del Palmar, sipas të dhënave nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së. Agjencia raportoi se tërmeti e kishte origjinën në një thellësi prej 107 kilometrash.
Një lëkundje pasuese me magnitudë 5 ballë goditi në orën 8:18 të mëngjesit, afërsisht 16 kilometra në perëndim të San Jose del Palmar. Komuna, e vendosur në Departamentin Choco ka një popullsi prej rreth 4.800 banorësh dhe ndodhet 1.288 metra mbi nivelin e detit.



