Rritet buxheti i Tetovës dhe i Gostivarit për vitin 2025
Komuna e Gostivarit të premten mbajti debat publik për hartimin e buxhetit për vitin 2025. Propozim-Buxheti i Komunës së Gostivarit planifikohet të jetë 27 milionë euro, që është më i madhi në historinë e komunës.
“Sot (12.26.2024) kemi organizuar një debat publik në lidhje me buxhetin e Komunës së Gostivarit për vitin 2025, debat në të cilin të gjithë qytetarët, organizatat joqeveritare dhe të interesuarit mund të vinë dhe t’i shpalosin sugjerimet dhe idetë e tyre në lidhje me planifikimin e buxhetit së Komunës së Gostivarit”, u shpreh Limani.
Kryetari i Gostivarit theksoi se buxheti për vitin e ardhshëm është rreth 27 milionë euro, më i madhi deri më tani.
“Këtë vit, buxheti i komunës është rreth 27 milionë euro, buxheti më i madh deri më tani dhe shpresojmë se do të jetë një buxhet që do të sigurojë zhvillim të qytetit tonë, siguron mjete për ambientin jetësor, për zhvillimin e sportit dhe për të gjitha fushat tjera me të vetmin qëllim që jetën e qytetarëve të Gostivarit ta bëjmë më të mirë”, u shpreh Limani.
Poashtu edhe komuna e Tetovës ka propozuar buxhetin më të madh në historinë e komunës, që kap vlerën e rreth 50 milion eurove. Nga ky buxhet i cili u diskutua të premten me sektorin civil, ndërsa të hënë pritet të jetë para këshilltarëve komunal, 16 milion janë paraparë për investime kapitale. Sipas kreut të komunës Bilall Kasami fokusi kryesor do të jetë gypi kryesor dhe sistemi i ujësjellësit, ndërtimi i shkollës së mesme tekstile, asfaltimi i qarkores në Kodrën e Diellit dhe ndërtimi i dy pishinave në dy shkolla fillore në Tetovë.
“Në kuadër të këtyre mjeteve diku rreth 16 milion euro janë për investimet kapitale, pra 5 milion në buxhetin e këtij viti dhe 11.5 milion euro në buxhetin e 2025 nga buxheti i Qeverisë. Kjo dëshmon edhe një herë se politikat e kësaj qeverie për përkrahje të komunave janë ndër më të qëlluarat sepse përkrahin në mënyrë të drejtë për drejtë pushtetin lokal dhe ndihmojnë për përmirësimin e strukturës së vetë buxhetit, sepse, gjitha buxhetet paraprake kanë qenë në disfavor për investimet kapitale sepse kanë shkuar për rroga kontribute e të ngjashme. Si propozim buxhet mund të them se është buxheti më i madh deri më tani në historinë e komunës, me diku 48.5 milion euro, nga të cilat 37 milion janë në buxhetin e paraparë për këtë vit dhe 11.5 milion euro janë mjete që i takojnë komunës për vitin 2025 për investimet kapitale nga Qeveria”, deklaroi Bilall Kasami. Kryetar i komunës së Tetovës.