Rritet aktiviteti ndërtimor në RMV, në gusht lëshohen 333 leje ndërtimi

Maqedonia e Veriut po shënon rritje të aktivitetit ndërtimor. Gjatë gushtit janë lëshuar 333 leje ndërtimi, 18,9% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në vend janë planifikuar 1.030 banesa të reja.
Vlera e projekteve të planifikuara ka arritur në 21,7 miliardë denarë, mbi 354 milionë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 315,5%. Kjo rritje lidhet kryesisht me projektin e autostradës A4, që lidh Bllacën me Shkupin.
Rajoni i Shkupit prin me 105 leje ndërtimi. Prej tyre, 224 leje në nivel shtetëror janë për ndërtime të reja shumëkatëshe, 91 për rikonstruksione dhe 18 për ndërtime të ulëta.
Nga gjithsej 333 leje, 231 u takojnë personave fizikë, ndërsa 102 kompanive dhe subjekteve afariste.



