Putin: Furnizimet ruse me naftë për SHBA-në dhe tregjet globale do të sjellin përfitime për ekonominë botërore

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë të premten se furnizimi i tregjeve amerikane dhe globale me naftë dizel nga Rusia do t’i sjellë përfitime ekonomisë botërore, pas një bisede telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të publikuar nga Kremlini, Putin ka thënë se të dy liderët kanë diskutuar sektorin global të energjisë, perspektivat për zgjidhjen e luftës në Ukrainë, situatën lidhur me Iranin dhe marrëdhëniet dypalëshe.

“Gjatë diskutimit për gjendjen e sektorit global të energjisë, pala ruse rikonfirmoi gatishmërinë për të furnizuar tregjet amerikane dhe globale me naftë dhe produkte të naftës. Jam i bindur se kjo do të ketë ndikim pozitiv në ekonominë globale në tërësi”, ka thënë Putin.

Në deklaratën e Kremlinit thuhet se gjatë bisedës iu kushtua “vëmendje e konsiderueshme” perspektivave për zgjidhjen e luftës në Ukrainë.

Putin ka thënë gjithashtu se të dy liderët kanë rikonfirmuar marrëveshjen për të ruajtur kontaktet e drejtpërdrejta dhe për të vazhduar bashkëpunimin mes administratave presidenciale, shërbimeve të inteligjencës dhe organeve të tjera qeveritare.

Deklaratat e Putinit erdhën pas njoftimit të Trumpit për atë që ai e përshkroi si “diskutim jashtëzakonisht të suksesshëm” me Putinin.

Trump tha në platformën e tij Truth Social se bisedimet rezultuan në një marrëveshje që Rusia të furnizojë “menjëherë” tregjet amerikane dhe globale me mbi 300.000 tonë naftë dizel.

Sipas Trumpit, Rusia do të furnizojë edhe 500.000 tonë të tjera në nëntor dhe 1 milion tonë “menjëherë pas kësaj”.

Ai shtoi se edhe 3 milionë tonë të tjera do të dorëzohen “brenda një periudhe të shkurtër”, në varësi të gjendjes së rafinerive ruse të naftës dizel.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button