Rriten tensionet në Ceuta/ Banorët shkatërrojnë kampet e emigrantëve, ndërhyn policia

Tensionet janë përshkallëzuar në Ceuta, enklavën spanjolle në Afrikën e Veriut, pas protestave të banorëve kundër menaxhimit të krizës së migracionit.
Mijëra qytetarë kanë protestuar për të dytën ditë radhazi, duke kërkuar përshpejtimin e kthimit të emigrantëve. Situata u tensionua më tej në plazhin El Trampolín, ku emigrantët qëndrojnë në kampe të improvizuara. Disa banorë shkuan drejt zonës dhe nisën të çmontonin çadrat, ndërsa policia ndërhyri për të shmangur përplasjet, duke përdorur edhe plumba gome.
Kriza nisi në fund të korrikut, kur rreth 72 mijë persona kaluan ose tentuan të kalonin në Ceuta nga Maroku. Shumica janë kthyer, por mijëra të tjerë vijojnë të qëndrojnë në enklavë. Sipas qeverisë spanjolle, rreth 5 mijë emigrantë ndodhen ende aty, ndërsa autoritetet lokale flasin për deri në 9 mijë.
Përballë mbingarkesës së strukturave të strehimit dhe problemeve me kushtet e jetesës, situata mbetet veçanërisht e vështirë për të miturit e pashoqëruar.
Ndërkohë, emigrantët kanë zhvilluar edhe protesta, duke kërkuar që Spanja të shqyrtojë kërkesat e tyre për azil dhe duke kundërshtuar kthimin në Marok. Autoritetet spanjolle po përpiqen të përshpejtojnë procedurat e azilit dhe kthimit, ndërsa prania e mijëra emigrantëve në një qytet me rreth 84 mijë banorë ka rritur ndjeshëm tensionet sociale.



