Rrëshqet dheu afër shtëpisë për të moshuar në Çair, frikë nga shembja

Nga rrëshqitja e dheut vazot e luleve bien në themelin e këtij objekti që ka filluar të ndërtohet në Çair.
Thuajse aspak nuk ka hapësirë mes shtëpisë së pensionistëve dhe këtij themeli të hapur për ndërtesë të re.
Këtu afër shtëpisë se pensionistëve ka filluar të shembet dheu për shkak të reshurave të shiut, si dhe këtu afër është duke u ndërtuar një objekt i cili nuk ka leje ndërtimi.
Pensionisti Bektesh Sopa i rrëfeu TV21 se po kjo rrëshqitje e dheut i ka bërë që të kenë frikë të qëndrojnë në këtu. Shton po ashtu se edhe nëse ndërtohet, do t’ua zërë pamjen sepse nuk ka hapësirë të mjaftueshme në mes.
-A mendoni që mund të bie e gjitha?
-Mundet të bie edhe këto që janë duke i vendosur aty do të bien… Betoni është gati të bie edhe ballkonet do të bien, çfarë do të bëjmë ne pastaj.
Nga Komuna e Çairit thonë se nuk është duke u ndërtuar objekti, por duke u rregulluar pjesa që ka rrëshqitur dheu.
“Nuk është duke u punuar në atë objekt për shkak se nuk ka leje ndërtimi. Por për shkak reshjeve të shiut, dheu afër shtëpisë së pensionistëve ka rrëshqitur dhe për këtë investitori është duke e rregulluar siç ka qenë në gjendjen e mëparshme”, thonë nga Komuna e Çairit.
Ndryshe në këtë parcelë, para disa muajve Komuna e Çairi i ndërpreu punët për shkak se investitori nuk ka leje ndërtimi.