Rokas: Maqedonia e Veriut më afër BE-së se sa mendohet

Ambasadori i BE-së në Shkup, Mihalis Rokas, tha se Maqedonia e Veriut e ka vendin në familjen evropiane, është më afër se sa të gjithë mendojnë, por sipas tij, aktualisht mungon pak pragmatizëm dhe vendosmëri për bashkim.
“Çështja është se duhet parë përpara se si mund ta zgjidhim këtë dhe të mund të ecim përpara, sepse këtu nuk ka dyshime se Maqedonia e Veriut përket në familjen evropiane dhe në fakt ne jemi më afër se sa mendojmë, Unë besoj se ajo që mungon në këtë moment është pak pragmatizëm, vendosmëri dhe dëshirë për bashkim”- deklaroi ambasadori i BE-së në Shkup, Mihalis Rokas.
Zv kryeministri Bekim Sali tha se duke pasur parasysh kontekstet aktuale gjeopolitike, zgjerimi nuk është vetëm politikë, por strategji e nevojshme për një Union më të sigurt.
“Një proces kredibil zgjerues kërkon dy elemente thelbësore, progres mbi baza të meritave nga vendet kanditate dhe parashikueshmëri dhe konsistencë nga BE-ja. Maqedonia e Veriut ka dëshmuar angazhimin për të parën, tani do të shohim nga BE-ja që të vazhdojë të zbatojë planin e dytë”- tha zv krueministri i parë i Qeverisë, Bekim Sali.
Në shënimin e 30 vjetorit të rrugëtimit të vendit drejt BE-së, dekani i fakultetit juridik në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” tha se këto tri dekada ishin të mbushura me pritje të mëdha, shpresë të vazhdueshme si dhe zhgënjim nga dështimet e zvarritja e procesit.
“Në të gjitha këto 30 vite të paktën dy punë tërhiqen si konstante. Nga njëra anë konstante është mbështetja e vazhdueshme që qytetarët e Maqedonisë së Veriut, i’a japin procesit integrues së bashku me besimin që ekziston, besimin ndaj BE-së për ardhmërinë e vendit tonë si alternativë e vetme që ekziston te të gjitha palët e shoqërisë”- nënvizoi dekani i fakultetit juridik në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, Sasho Georgievski.
Pavarësisht se vendi nuk mund të lëviz para drejt BE-së pa përfshirjen e bullgarëve në kushtetutë, Maqedonia duhet të plotësojë edhe agjendën reformuese. Kryeministri Mickoski tha se vetëm dy nga dhjetë pikat është e sigurt se nuk do të plotësohen deri në qershor. Ndërkohë qeveria zotohet se kërkesat e tjera do të plotësohen me kohë./Alsat.mk.



