Roboti humanoid kinez tejkalon rekordin e Usain Bolt në 100 metra gjatë një testi

Një robot humanoid kinez i quajtur “Lightning” ka vendosur një rekord të ri në sprintin 100 metra, duke regjistruar kohën 9,32 sekonda në një test para edicionit të dytë të Lojërave Botërore të Robotëve Humanoid, duke tejkaluar rekordin botëror për njerëzit prej 9,58 sekondash të legjendës xhamajkane të sprintit Usain Bolt, transmeton Anadolu.
Sipas prodhuesit kinez të pajisjeve inteligjente Honor, raporton CGTN, roboti arriti një shpejtësi maksimale prej 14,5 metrash në sekondë, duke demonstruar aftësi për vrapim me shpejtësi të lartë përpara garës pesëditore në Pekin.
“Lightning” pritet të garojë në disiplinat 100, 400 dhe 1.500 metra në lojërat që zhvillohen nga 22 deri më 26 gusht.
Në këtë ngjarje, robotët humanoidë do të garojnë në një sërë disiplinash sportive, përfshirë kërcimin së gjati, ngritjen e peshave dhe pingpongun, ndërsa ekipet nga e gjithë bota do të prezantojnë përparimet në robotikë dhe inteligjencë artificiale.
Rekordi prej 9,58 sekondash i Bolt, i vendosur në Kampionatin Botëror të vitit 2009 në Berlin, mbetet rekordi zyrtar botëror për njerëzit i njohur nga Atletika Botërore. Për këtë arsye, koha e raportuar e robotit nuk mund të krahasohet drejtpërdrejt si rekord atletik botëror sipas rregullave të sportit për njerëzit.



