RMV, po harxhohet rrymë më shumë se dimrit!

Temperaturat përvëluese kanë shënuar pothuajse rritje enorme të konsumit të energjisë elektrike në vend. Nga EVN-Home thonë se në dy javët e para të muajit korrik orëmatësit kanë lëvizë më shpejtë si pasojë e përdorimit të kondicionerëve për freskim të ajrit në ambiente të brendshme. Bile të mërkurën u arrit rekord, që brenda 24 orëve ka tejkaluar për 3,500 MW/h konsumin mesatar të vitit kaluar të së njëjtës periudhë. Kurse, për 17 ditët e matura diferenca është gati 25,000 MW/h më shumë se vjet.

“Në pjesën e parë të muajit korrik (1-17.07 2024) janë konsumuar 254,492 MW/h energji elektrike, që vjen si pasojë e temperaturave të larta. Konsumi më i lartë është regjistruar më 17.07.2024 (të mërkurën) me sasi prej 17.018 MW/h, që është edhe një nga ditët më të nxehta të kësaj periudhe. Vitin e kaluar, konsumi total i energjisë elektrike për periudhën 01-17.07.2023 ishte 229,575 MW/h. Konsumi mesatar ditor për atë periudhë ishte 13,504 MW/h”, njoftojnë nga EVN HOME.

Përndryshe, nga dita e parë e korrikut, orëmatësit filluan të llogarisin më shtrenjtë energjinë elektrike. Për shumicën e konsumatorëve, faturat për amvisëritë dhe te konsumatorëve te vegjël do te jenë me te larta për 0.4%. Sipas Komisionit rregullator të energjetikës nga 1 korriku vetëm në bllok tarifën e parë çmimi mbetet i njëjtë, kurse në të dytin ka rritje 0.06, në të tretin 0.17 dhe ne të katërtin 0.37 denarë.

“Në bllokun e parë dhe te dyte ku bëjnë pjesë 88% e konsumatorëve në faturat e korrikut që do tu vinë gjatë muajit gusht rritja e çmimit do te jete simbolike. Po ashtu edhe tarifa e lirë do te shtrenjtohet me 0.02 denarë, por kohëzgjatja do mbetet e njëjtë 13-15h, 22-07h dhe gjatë të dielës. Ky çmim i energjisë elektrike do te jete i vlefshëm deri me 31 dhjetor ku do te ketë ndryshim te çmimeve”, thonë nga Komisioni Rregullator për Energjetikë.

Ata bëjnë thirrje për kursim të energjisë dhe konsumim efikas ngaqë faturat e korrikut do jenë ndryshe.

Rritja e konsumit të energjisë elektrike ka mbingarkuar edhe sistemin e furnizimit me rrymën, që në shumë raste po shkaktohen edhe defekte. Vetëm gjatë të enjtes në periudha të caktuara të ditës, pa rrymë kanë mbetur disa zona të kryeqytetit, të cilat ishin të informuara më herët nga operatori privat. /Alsat/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button