Rikthimi i shërbimit ushtarak në Serbi, Sinani: Të rinjtë shqiptarë do të detyrohen të shpërngulen sapo t’i mbushin 18 vjet
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka reaguar ashpër pas vendimit të Serbisë për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak për 75 ditë, duke e cilësuar këtë masë si një kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajon.
Sinani theksoi se kjo masë rrezikon të përsërisë historinë e viteve ’90, kur të rinjtë shqiptarë nga Lugina e Preshevës u detyruan të largoheshin për të shmangur shërbimin në ushtrinë e Serbisë.
“Kanë kaluar pothuajse 30 vite që nga shpërbërja e Jugosllavisë, por shqiptarët e Luginës së Preshevës ende mbeten të cenueshëm nga politikat diskriminuese të Beogradit. Në vitet e 90-ta, kur regjimi i Millosheviqit synonte shtypjen dhe përndjekjen e shqiptarëve, të rinjtë tanë u detyruan të largoheshin masivisht për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak dhe represionit. Sot, historia rrezikon të përsëritet”, ka shkruar Sinani në Facebook.
Ajo paralajmëroi se rikthimi i këtij shërbimi mund të shkaktojë sërish shpërngulje masive të të rinjve shqiptarë, duke nënvizuar se ata nuk përfaqësohen nga kjo ushtri dhe përballen me diskriminim të vazhdueshëm nga shteti serb.
“Rikthimi i shërbimit ushtarak të detyrueshëm do të çojë sërish në shpërngulje masive të të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Djemtë tanë, sapo mbushin 18 vjeç, detyrohen të largohen për të mos shërbyer në një ushtri që nuk i përfaqëson ata, në një shtet që vazhdimisht i diskriminon”, ka shkruar tutje e para e Preshevës.
Ajo po ashtu përmendi ngjarjet e fundit në Banjskë, duke akuzuar Serbinë për synime destabilizuese dhe aneksimin e veriut të Kosovës, duke theksuar se kërcënimi për paqen vjen pikërisht nga Serbia.
Sipas Sinanit, rajoni ka nevojë për paqe, zhvillim dhe të ardhme të sigurt për të rinjtë, jo për konflikte të reja.
Ajo i bëri thirrje Serbisë të tregojë vullnet për normalizim dhe stabilitet, duke u angazhuar për një të ardhme paqësore në vend të tensioneve.
Ndryshe, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq njoftoi se ka nënshkruar marrëveshjen për shërbimin e rregullt ushtarak për 75 ditë.
“Dua të besoj se Qeveria e Serbisë do ta miratojë këtë vendim”, tha Vuçiq gjatë ceremonisë së gradimit të oficerëve të rinj të Forcave të Armatosura të Serbisë.
Në Serbi shërbimi i detyrueshëm ushtarak u hoq më 1 janar 2011, që atëherë vetëm ata që duan, shkojnë vullnetarisht në ushtri.