Rënia e koalicionit dhe kthimi i Trumpit – çka do të ndodhë me ekonominë e Gjermanisë?
Rënia e koalicionit qeverisës në Gjermani dhe kthimi i presidentit të sapozgjedhur amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë krijon rreziqe të reja për ekonominë më të madhe të Bashkimit Evropian, e cila tashmë është në rënie shqetësuese, shkruan AP.
Ekonomia gjermane është tkurrur në dy vjetët e fundit për shkak të pandemisë së koronavirusit, luftës në Ukrainë dhe konkurrencës nga Kina. Mes problemeve në vend dhe sfidave globale, koalicioni trepalësh i kancelarit Olaf Scholz nuk ka arritur marrëveshje për disa çështje kyçe.
Situata u përshkallëzua të mërkurën kur Scholzi njoftoi se do ta largonte ministrin e Financave, Christian Lindner. Masa shënoi në mënyrë efektive fundin e koalicionit qeverisës, i cili pa Partinë Demokratike të Lirë (FDP) të Lindnerit nuk ka shumicën në parlament.
Rënia e koalicionit pasoi disa javë mosmarrëveshjesh të brendshme se si të stimulohej rritja e ekonomisë gjermane.
Scholzi ka thënë se planifikon votëbesim për qeverinë në parlament më 15 janar, e cila, nëse miratohet, mund të çojë në zgjedhje të parakohshme deri në fund të marsit. Zgjedhjet e rregullta në Gjermani janë të planifikuara për në shtator.
Megjithatë, udhëheqësit e biznesit i kërkuan Scholzit që të veprojë shumë më shpejt në mënyrë që të krijojë qeveri të qëndrueshme, të gatshme për të trajtuar krizën.
Rënia e koalicionit qeverisës, i cili përfshin socialdemokratët e Scholzit, liberalët e Lindnerit dhe të Gjelbrit, ndodhi në orët e fundit të ditës kur liderët evropianë filluan ta urojnë Trumpin për mandatin e dytë, i cili do të ketë implikime serioze për sigurinë evropiane dhe ekonomike.
Zëvendësdrejtori i Institutit italian të Mendimit (ISPI), Antonio Villafranca, ka thënë se “në nivel evropian, paqëndrueshmëria politike në Gjermani nuk është lajm i mirë”, duke theksuar se një aleancë e fortë franko-gjermane ishte kundërpeshë e rëndësishme gjatë mandatit të parë të Trumpit nga viti 2017 deri më 2021.
Trumpi ka kërcënuar se do të refuzojë angazhimet e NATO-s, do të ulë mbështetjen për Ukrainën për t’u mbrojtur nga Rusia dhe do të vendosë tarifa deri në 20 për qind për mallrat e BE-së (me tarifa edhe më të larta se mallrat nga Kina), duke rritur mundësinë e një lufte tregtare me aleatët evropianë.
Tarifat do t’i jepnin goditje të fortë eksporteve gjermane dhe do të kontribuonin në një tjetër rënie në ekonomi.
Industria gjermane nuk është rikuperuar plotësisht nga pandemia. Kur Rusia pushtoi Ukrainën në vitin 2022, Gjermania dhe vendet e tjera perëndimore ndaluan blerjen e gazit dhe naftës ruse.
Konkurrenca nga Kina, duke përfshirë automjetet elektrike, ka detyruar ndërkohë prodhuesit gjermanë dhe evropianë të veturave të ulin prodhimin dhe të largojnë punëtorët.
Karsten Brzeski, ekspert financiare, ka thënë se ngjarjet politike të ditëve të fundit “e kanë errësuar më tej perspektivë e zymtë për ekonominë gjermane”.
“Mandati i dytë i Donald Trumpit në SHBA, me tensione të reja tregtare të pritshme, do të godasë ekonominë gjermane, 10 për qind e eksporteve të së cilës shkojnë në SHBA. Nuk duhet shumë imagjinatë për të kuptuar se tarifat amerikane për veturat evropiane do ta thellonin krizën e industrisë së automobilave në Gjermani”, ka thënë ai.
Ndërsa Trumpi kërcënon të vendosë tarifa të reja për produktet evropiane, presidenti aktual i SHBA-së Joe Biden ka vendosur tarifa 100 për qind për automjetet elektrike kineze, të cilat po vërshojnë tregun global.
Pikërisht, problemet me industrinë e veturave kanë kontribuar më së shumti në dobësimin e ekonomisë gjermane.