Raundi i dytë i zgjedhjeve në Bërvenicë, 16.256 qytetarë me të drejtë vote

Në dhjetë vendbanime të Komunës së Bërvenicës sot po zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune. Raundi i parë u mbajt më 18 tetor, por asnjëri nga gjashtë kandidatët nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme. Të drejtë vote më 18 tetor kishin 16.256 qytetarë, ndërsa dalja në votime ishte 46,56 për qind, përkatësisht votuan 7.565 qytetarë. Numrin më të madh të votave e fituan kandidatët e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së.
Votimi fillon në orën 07:00, kur hapen vendvotimet, dhe do të zgjasë deri në orën 19:00. Në Listën Zgjedhore janë të regjistruar 16.256 votues, prej të cilëve 449 janë me punë të përkohshme jashtë vendit, ndërsa në burg ose paraburgim ndodhen nëntë votues.
Fitues i zgjedhjeve do të jetë kandidati që merr numrin më të madh të votave. Nëse, për çfarëdo arsyeje, as në raundin e dytë nuk zgjidhet kryetar komune, Komisioni Zgjedhor brenda 15 ditëve e njofton Qeverinë.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) rezultatet fillestare të zgjedhjeve, të pranuara në mënyrë elektronike, i publikon në mënyrë të njëpasnjëshme, ndërsa rezultatet e bazuara në të dhënat nga procesverbalet e Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) i publikon brenda 12 orëve pas përfundimit të votimit.
KKZ-ja rezultatet fillestare i publikon brenda shtatë orëve pas përfundimit të votimit, bazuar në të dhënat nga këshillat zgjedhorë. Ato i afishon në tabelën e shpalljeve në komunë dhe i kumton përmes mediave.
KSHZ-ja rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve i publikon menjëherë, por jo më vonë se 24 orë nga dita e përfundimit të procedurës për përcaktimin e tyre.
Banorët e dhjetë vendbanimeve të Komunës së Bërvenicës zgjedhin kryetarin e ri të komunës, pasi më 23 qershor 2026, në moshën 58-vjeçare, ndërroi jetë kryetari i atëhershëm i komunës, Jovica Ilievski. Funksionin e ushtruesit të detyrës së kryetarit gjatë muajve të fundit e ka kryer Robert Millosheski.



