Rast i ri i gripit të shpendëve dhe masa mbrojtëse për sëmundjen e gjuhës së kaltër

Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) ka konfirmuar një rast të ri të gripit të shpendëve të llojit H5N1 te një shpend i ngordhur (patë) në kompleksin rezidencial “Sveti Jovan” në Zllokuqani të Shkupit, bazuar në rezultatet laboratorike të Institutit Kombëtar për Ushqim dhe Veterinari pranë Fakultetit të Mjekësisë Veterinare në Shkup të datës 28.10.2024. Nga testimi i dy shpendëve të gjallë (mjellma), nuk është konstatuar prania e virusit. Sot do të kryhet kapja e shpendëve të tjerë në kompleks për testime laboratorike për praninë e sëmundjes, përcjellë Alfax.

AUV ka lëshuar një vendim për shpalljen e sëmundjes dhe ka urdhëruar masa mbrojtëse dhe kontrolluese për të parandaluar përhapjen. Masat përfshijnë asgjësimin e shpendëve të ngordhur në vendin e ngjarjes (përveç shpendëve të mbajtur në hapësira të mbyllura që janë duke u testuar për gripin e shpendëve), dezinfektimin e fermës, ndalimin e lëvizjes së shpendëve brenda dhe jashtë fermës pa lejen e veterinarit zyrtar.

Përveç këtyre, janë urdhëruar edhe masa të tjera, si mbyllja e shpendëve në hapësirat e tyre, marrja e mostrave nga shpendët e ngordhur, ndalimi i organizimit të panaireve, tregjeve apo ngjarjeve të tjera me shpendë në zonën e prekur. Gjithashtu, kërkohet njoftimi për çdo ndryshim në shëndetin e shpendëve dhe masa të rrepta të sigurisë biologjike në fermat e prekura, raporton Alfax.

Sëmundja përhapet zakonisht përmes shpendëve shtegtarë dhe prek kryesisht shpendët, por mund të prekë edhe njerëzit. Prandaj, AUV apelon për kujdes të veçantë për personat që kanë kontakt të afërt me shpendët e infektuar apo që punojnë në ambiente të kontaminuara.

AUV ka miratuar edhe masa mbrojtëse për sëmundjen e gjuhës sl kaltërt te bagëtitë dhe delet në gjithë territorin e vendit, pas konfirmimit të sëmundjes në dy ferma në Demir Kapi. Nga 190 kafshë në ato ferma, 7 kanë ngordhur, ndërsa disa kafshë të tjera kanë simptoma karakteristike të kësaj sëmundjeje dhe temperaturë të lartë.

Sëmundja e gjuhës blu nuk është ngjitëse për njerëzit dhe prek vetëm gjedhët dhe kafshët e egra që ushqehen me bar. Përhapet përmes mushkonjave të llojit *Culicoides*. Për të parandaluar përhapjen, është ndaluar lëvizja e kafshëve nga fermat e prekura për të paktën 30 ditë, dhe janë urdhëruar dezinfektime të rregullta, një herë në javë, si dhe trajtime të kafshëve me repelentë.

Kafshët me simptoma të rënda do të asgjësohen humanisht sipas udhëzimeve të veterinerit zyrtar dhe rekomandimeve nga mjeku veterinar i autorizuar. Çdo dyshim për sëmundjen dhe ngordhjen e kafshëve duhet të raportohet te shoqëritë veterinare të autorizuara. Fermerët janë të detyruar të vendosin rrjeta kundër mushkonjave në dritaret e fermave, të pastrojnë çdo ditë ambientet e mbajtjes së kafshëve dhe të eliminojnë ujin e mbetur që mund të shërbejë si vend për mushkonjat.

Në gjithë territorin e vendit është ndaluar lëvizja e kafshëve barngrënëse (gjedhë, dele dhe dhi) përveç në rastet kur ato dërgohen për therje.Alfax

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button