Raporti i BE-së: Platformat e rrjeteve sociale dështojnë të heqin përmbajtjet mashtruese të raportuara nga përdoruesit

Platformat kryesore të rrjeteve sociale po dështojnë të heqin përmbajtjet mashtruese edhe pasi ato raportohen nga përdoruesit, ndërsa një organ i pavarur evropian ka rrëzuar shumicën e vendimeve të moderimit që ka shqyrtuar, raportoi të martën transmetuesi irlandez RTE, transmeton Anadolu.
Organizata Appeals Centre Europe bëri të ditur se nga prilli deri në shtator ka pranuar 43 mijë ankesa lidhur me Facebook, Instagram, TikTok, YouTube dhe platforma të tjera, nga të cilat mbi 19 mijë plotësonin kushtet për shqyrtim.
Organizata konstatoi se platformat kishin lejuar që përmbajtjet mashtruese të qëndronin në internet, në kundërshtim me rregullat e tyre, ndërsa materialet e krijuara me inteligjencë artificiale po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë identifikimin e mashtrimeve.
Ajo rrëzoi rreth 75 për qind të vendimeve të platformave që shqyrtoi, përfshirë 93 për qind të vendimeve të YouTube, 77 për qind të TikTok dhe 75 për qind të Instagramit.
Rastet e raportuara përfshinin mashtrime me investime dhe lidhje romantike të krijuara me inteligjencë artificiale, si dhe video mashtruese lidhur me luftën Rusi-Ukrainë dhe përmbytjet e vitit 2024 në Valencia.
Drejtori ekzekutiv i Appeals Centre Europe, Thomas Hughes, tha se platformat e rrjeteve sociale nuk duhet të ofrojnë strehë të sigurt për mashtruesit.
Organizata me seli në Dublin shqyrton ankesat lidhur me moderimin e përmbajtjeve në bazë të Aktit të Shërbimeve Digjitale të BE-së.
Vendimet e saj nuk janë detyruese, por platformat janë të detyruara të bashkëpunojnë me të në mirëbesim.



