Qyteti Fukuoka në Japoni shënon temperatura rekord, vala e të nxehtit shkakton 79 të vdekur në mbarë vendin

Qyteti jugperëndimor japonez Fukuoka përjetoi një tjetër ditë me temperatura përvëluese të mërkurën, ndërsa goditjet nga i nxehti muajin e kaluar shkaktuan të paktën 79 viktima në mbarë vendin, transmeton Anadolu.

Temperatura në rrethin Hakata të Fukuokës arriti në 40,4 gradë Celsius, duke shënuar ditën e dhjetë radhazi me temperatura ekstreme, raportoi Kyodo News.

Një zonë e gjerë e Japonisë u përfshi nga temperatura përvëluese të shkaktuara nga presioni i lartë atmosferik, ndërsa Fukuoka u ndikua gjithashtu nga ajri i nxehtë dhe i lagësht që qarkullonte nga një tajfun pranë rajonit.

Temperaturat mesatare të verës në gjithë Japoninë kanë vazhduar të rriten, duke nxitur autoritetet t’i kategorizojnë ditët kur temperaturat arrijnë 40 gradë Celsius ose më shumë si “kokushobi”, ose “ditë me nxehtësi mizore”.

Vala e vazhdueshme e të nxehtit ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin publik, me më shumë se 41 mijë persona të shtruar në spitale në mbarë vendin vetëm në korrik për shkak të goditjeve nga i nxehti, duke rezultuar në të paktën 79 vdekje të konfirmuara, sipas Agjencisë Japoneze të Menaxhimit të Zjarreve dhe Fatkeqësive.

“Në mesin e personave të dërguar në spitale, 24.769 ishin 65 vjeç ose më të vjetër, duke përbërë më shumë se 60 për qind të totalit. Shtatëdhjetë e nëntë persona u konfirmuan të vdekur”, raportoi të martën Jiji Press.

Nxehtësia ekstreme vjen pas kushteve të rënda atmosferike në fillim të këtij muaji, kur reshjet e dendura dhe përmbytjet e menjëhershme goditën Japoninë lindore.

Në fillim të këtij muaji, reshjet e dendura përmbytën prefekturën Chiba, në lindje të kryeqytetit Tokio, duke shkaktuar përmbytje urbane që zhytën zona të banuara nën ujë dhe rezultuan në të paktën 13 persona të vdekur.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button