Qoku: Ligji për përfaqësim të drejtë nesër kalon në Qeveri, nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare

Koordinuesi i grupit të deputetëve të VLEN-it, Bekim Qoku, sot në konferencë tha se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me lokalet në vjeshtë, pasi që paraprakisht koordinuesi i grupit të deputetëve të Frontit evropian, Blerim Bexheti u bëri thirrje VLEN-it dhe VMRO-së në pushtet për zgjedhje të parakohshme.
“BDI me kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare edhe njëherë dëshmon se janë shndërruar në parti politike pa ide dhe vizion. Të vetëdijshëm e çdo ditë e më shumë po ngushtohen si subjekt politik, të përballur me largime të vazhdueshme nga anëtarësia e tyre, shpëtimin e shohin në gënjeshtra të trilluara ndaj simpatizuesve të vet se gjoja qeveria po bie dhe BDI po kthehet, por atë nuk e beson as rrethi i tyre më i ngushtë. Me VLEN-in në Qeveri nuk do të ketë më persona me 20 vite përvojë pune dhe akoma të jesh bashkëpunëtor i ri. Sot kemi shqiptarë të cilët gëzojnë dinjitet që në vitin e parë të sundimit tonë. VLEN-i e prezanton legjitimitetin e plotë të popullit shqiptar, diçka që fuqishëm dhe qartë e përjetuam në zgjedhjet e fundit parlamentare me 107 mijë vota, ndërkaq akoma më qartë do ta dëshmojmë me fitore absolute në zgjedhjet lokale”, theksoi Qoku.