Qendra për Menaxhim me Kriza: Dëme në Shkup, Koçan, Shtip, Kumanovë e Strumicë

Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) njofton se stuhia e djeshme me erë të fortë, shi dhe reshje të rrëmbyeshme ka shkaktuar dëme materiale në disa rajone të Maqedonisë së Veriut.
Në Shkup, pas orës 17:00, në numrin emergjent 112 janë pranuar mbi 9.000 thirrje nga qytetarët, kryesisht për pasojat e motit të ligë.
Në Koçan, rreth 80% e qytetit mbeti pa energji elektrike, ndërsa ndërprerja e energjisë ndikoi edhe në furnizimin me ujë. Në Shtip, era dëmtoi rreth gjysmën e kulmit të Spitalit Klinik dhe shkaktoi përmbytje në disa hapësira të tij.Ndërkohë, në Tetovë janë regjistruar vetëm dëme të vogla materiale, ndërsa situata vlerësohet stabile.
“Ekipet e zjarrfikësve, policisë, EVN-së dhe ndërmarrjeve publike ndodhen në terren dhe po punojnë për pastrimin e pasojave dhe normalizimin e gjendjes”, thekson QMK.
Institucioni u bën thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjen pranë drunjve të dëmtuar, shtyllave dhe kabllove elektrike dhe çdo rrezik ta raportojnë në numrin emergjent 112.



