Provimi u jurisprudencës, Sali thotë se nuk ndërhyjnë në punën e grupit të punës

Derisa grupi i punës i përbërë prej ekspertëve të së drejtës kushtetuese i formuar nga Qeveria është duke punuar në zgjidhjen më të mirë për t’i lejuar studentët shqiptarë të japin provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, përfaqësuesit qeveritarë nuk kanë informacione se çfarë kanë diskutuar ekspertët deri tani. Zv.kryeministri i parë Bekim Sali u shpreh se nuk kanë ndërhyrë në punën e këtij grupi dhe zgjidhjen e problemit ua kanë lënë në dorë atyre.
“Janë duke punuar. Gjatë ditës së nesërme do të ketë edhe një takim koordinimi dhe shpresoj që pas asaj do të fillojnë ti konkretizojnë hapat e ardhshme si do të veprohet më tutje. E kam përsëritur disa herë, me këtë çështje merren ekspertë të drejtësisë kushtetuese kështu që ne si politikanë nuk na takon të ndërhyjmë në këtë proces, ua kemi lënë në dorë atyre ta zgjidhin problemin”, tha Bekim Sali, zv.kryeministër i parë.
Ambasadori i BE-së Mihalis Rokas duke treguar praktika nga shtetet evropiane, thotë se çdo shtet ka ligjet e veta dhe nuk ka një ligj të vetëm që zgjidh këtë problematikë në tërësi. Thotë se Qeveria duhet të dëgjojë kërkesat e qytetarëve, në këtë rast studentëve dhe të ofrojë zgjidhje.
“Nuk ekziston një ligj unik për çështjet që kanë të bëjnë me gjuhët. Shtetet anëtare kanë ligjet e tyre. Unë kam takuar përfaqësuesit e studentëve dhe këshilla jonë është se zgjidhja duhet të gjendet Brenda kornizës së Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Nëse duhet ligjet të ndryshohen, siç theksoi dhe zv.kryeministri, nevojitet mendimi nga grupi i ekspertëve dhe po e presim rezultatin. Pra kjo është çfarë përfaqëson Qeveria, të dëgjojë shqetësimet legjitime të një grupe të qytetarëve dhe të ndërmarrë masa. Ne po e ndjekim këtë çështje shumë nga afër”, theksoi euro ambasadori Mihalis Rokas.
Pas protestës së studentëve, kryeministri Mickoski njoftoi se është formuar grup i punës në kuadër të Qeverisë për të gjetur zgjidhje ligjore. Megjithatë nga Qeveria nuk zbulojnë emrat e ekspertëve. Thonë vetëm se janë të njëjtit që kanë punuar në ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat./Alsat.mk.



