Protestuesi i tërhequr zvarrë në Zvërnec “fundos” drejtorin e policisë së Vlorës

Një situatë sa absurde aq edhe e pazakontë ka shoqëruar protestën e zhvilluar në Zvërnec, ku në fund nuk janë përplasur vetëm protestuesit me kompaninë private të sigurisë, por edhe Policia e Shtetit me Policinë e Vlorës.
Drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, është pezulluar nga detyra pasi Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë publikoi një njoftim që më pas u përgënjeshtrua nga vetë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Në reagimin e parë zyrtar, Policia e Vlorës deklaroi se një protestues, i identifikuar me inicialet E.S., ishte futur me forcë brenda rrethimit të kantierit dhe më pas ishte shoqëruar nga punonjësit e sigurisë private, gjatë së cilës iu shkaktuan dëmtime trupore.
Por pas publikimit të pamjeve dhe reagimeve të shumta në rrjetet sociale, versioni zyrtar ndryshoi.
Në një njoftim të dytë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkoi ndjesë publike, duke sqaruar se qytetari në fjalë nuk ishte futur me forcë në kantier, ndryshe nga sa ishte raportuar nga Policia e Vlorës.
“Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast”, thuhet në reagimin zyrtar të Policisë së Shtetit.
Pavarësisht se institucioni theksoi se pjesa tjetër e komunikatës së Policisë së Vlorës ishte korrekte, gabimi u konsiderua mjaftueshëm serioz për të sjellë pezullimin e menjëhershëm të drejtorit vendor.
Ndërkohë, lidhur me pretendimet e ngritura nga protestuesit për kantierin në Zvërnec, Policia e Shtetit deklaroi se territori i rrethuar rezulton pronë private me dokumentacion të rregullt ligjor dhe se çdo mosmarrëveshje mbi pronësinë apo zhvillimin e saj duhet të ndiqet përmes rrugëve gjyqësore.
Në fund të gjithë kësaj historie, mbetet një pyetje e thjeshtë: nëse qytetarët zakonisht presin që policia të përgënjeshtrojë lajmet e rreme, çfarë ndodh kur policia detyrohet të përgënjeshtrojë vetveten?



