Prokuroria Speciale: Dëshmitari Albin Kurti s’u paraqit, do të veprojmë duke respektuar legjislacionin në fuqi

Prokuroria Speciale ka konfirmuar se kryeministri Albin Kurti nuk është paraqitur për ta dhënë dëshminë e tij në rastin e dyshimeve për keqpërdorimet me rezervat shtetërore.

Prokuroria Speciale thotë se “edhe në këtë rast penal, sikurse në të gjitha rastet tjera do të veprojë duke respektuar legjislacionin në fuqi”.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas interesimit të shumë gazetarëve, informon se dëshmitari A.K. nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij edhe përkundër faktit se i njëjti ka qenë i obliguar me Urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”.
Vetë kryeministri ka thënë disa herë se nuk i ka refuzuar ftesat, por insiston që dëshminë të japë në zyrën e tij në Kryeministri.

Zyra e tij ka dërguar kërkesë në Gjykatën Themelore, duke i kërkuar këtij institucioni ta urdhërojë Prokurorinë që dëshmia të merret në Kryeministri.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar ditë më parë se ka lëshuar urdhër që obligon Kurtin të japë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit në një rast që ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, pasi kryeministri nuk është paraqitur në dy ftesa që ia ka bërë Prokuroria në muajt e fundit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button