Prodhuesi turk i raketave ROKETSAN do të organizojë një ‘hackathon’ për inteligjencën artificiale

Janë hapur aplikimet për “LEVEL-UP AI/ROKETSAN Artificial Intelligence Hackathon”, i organizuar nga prodhuesi turk i raketave ROKETSAN për të rinjtë e talentuar në fushën e inteligjencës artificiale, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të kompanisë thuhet se aktiviteti i cili synon zhvillimin e kompetencave në përdorimin e teknologjive të inteligjencës artificiale në industrinë e mbrojtjes, do të mbahet më 25-27 shtator.

Në kuadër të programit, i cili do të fokusohet në fusha si edhe AI, mësimi makinerik (machine learning), modelet e mëdha gjuhësore (LLM), autonomia dhe shkenca e të dhënave, pjesëmarrësit do të marrin pjesë si në fazën e trajnimit ashtu edhe në atë të garës.

Programi është projektuar për studiues dhe të diplomuar në inxhinieri kompjuterike, inxhinieri aeronautike, inxhinieri elektrike dhe elektronike si dhe inxhinieri të inteligjencës artificiale, me zero deri në pesë vjet përvojë pune dhe, mundësisht, me studime pasuniversitare në vazhdim. Ai do të përfshijë trajnime online, punëtori teknike, panele diskutimi dhe një ‘hackathon’ 48-orësh.

Para nisjes së ‘hackathonit’, pjesëmarrësit do të ndjekin tre ditë trajnime online mbi modelet e mëdha gjuhësore, “Agentic AI”, vizionin kompjuterik dhe sistemet autonome. Ata që do ta përfundojnë me sukses trajnimin do të pajisen me certifikatë.

Programi do të përfshijë gjithashtu një panel diskutimi mbi tema si sistemet e besueshme të inteligjencës artificiale, autonomia, epërsia në vendimmarrje dhe karrierat në inteligjencën artificiale në industrinë e mbrojtjes.

Kandidatët e përzgjedhur për të marrë pjesë në ‘hackathon’ do të zhvillojnë projekte në ekipe. Ekipet që do të renditen në vendet e para sipas vlerësimit të jurisë do të nderohen me çmimin “ROKETSAN Artificial Intelligence Award”.

Aplikimet për programin mund të dorëzohen përmes faqes levelup.roketsan.com.tr deri më 16 gusht.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button