Presidentja e Indisë në Kuvend, Gashi: Vizita historike hap kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka pritur në Kuvend Presidenten e Republikës së Indisë, Draupadi Murmu, e cila po zhvillon vizitën e parë zyrtare të një presidenti indian në Maqedoninë e Veriut.

Gashi e cilësoi këtë vizitë si një moment historik për diplomacinë e vendit dhe një hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Pata nderin të mirëpres në Kuvend Presidenten e Republikës së Indisë, Sh.S. Draupadi Murmu. Si presidentja e parë e Indisë që viziton Maqedoninë e Veriut, vizita e saj shënon një moment historik për diplomacinë tonë”, deklaroi Gashi.

Ai theksoi se India është një vend me potencial të madh dhe se kjo vizitë hap një kapitull të ri në bashkëpunimin dypalësh.

“India është një vend me potencial të madh, ndërsa kjo vizitë hap një kapitull të ri në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Një lidhje e veçantë që na bashkon është trashëgimia e Nënë Terezës, e cila mbetet simbol i humanizmit, solidaritetit dhe vlerave universale që i afrojnë popujt tanë”, u shpreh kryeparlamentari.

Gjatë seancës plenare, Presidentja Murmu iu drejtua deputetëve dhe qytetarëve, duke vënë theksin te vlerat e përbashkëta demokratike, rëndësia e diplomacisë parlamentare dhe zgjerimi i bashkëpunimit mes dy vendeve.

Sipas Gashit, Presidentja indiane theksoi se demokracia është vlera që bashkon Indinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa parlamentet janë roje të lirive të qytetarëve dhe pasqyrë e ndërgjegjes kombëtare. Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e pjesëmarrjes së grave në jetën demokratike dhe nevojën që lidhjet historike e kulturore të shndërrohen në partneritete konkrete për paqe dhe prosperitet.

Një nga mesazhet kryesore të Presidentes Murmu, të cilin e veçoi edhe Gashi, ishte thirrja për bashkëpunim dhe unitet në një botë të përballur me konflikte.

“Filozofia e lashtë e Indisë bazohet në thënien: ‘E gjithë bota është një familje’. Në një kohë kur bota është e ndarë nga konfliktet dhe ndarjet ekonomike, kjo filozofi na bën thirrje të ndërtojmë ura, jo mure”, tha Presidentja e Indisë në fjalimin e saj para Kuvendit.


Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button