Presidenti turk thirrje shteteve anëtare të OKB-së t’i bëjnë presion Izraelit për rindërtimin e Gazës

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan të martën bëri thirrje që rindërtimi i Gazës të fillojë pa vonesë dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të rrisë presionin ndaj Izraelit, raporton Anadolu.

Duke folur në sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Erdogan tha se përpjekjet për rindërtimin e Gazës duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur.

“Duhet të fillojmë rindërtimin e Gazës pa humbur kohë. Në këtë drejtim, ju bëj thirrje që të ushtroni presion më të madh ndaj Izraelit”, tha ai.

Erdogan tha se përpjekjet për të parandaluar krijimin e një shteti palestinez përfundimisht do të dështojnë.

“Të gjithë duhet ta kuptojnë dhe ta pranojnë tani këtë: Përpjekjet për ta mbytur shtetin e Palestinës do të përfundojnë me dështim”, tha ai.

Ai shprehu shpresën se përfundimisht do të krijohet një shtet palestinez i pavarur dhe me integritet territorial, i bazuar në kufijtë e vitit 1967 dhe me Kudsin Lindor si kryeqytet.

“Me dëshirën e Zotit, do t’i shohim ato ditë të bukura kur do të krijohet një shtet i pavarur dhe me integritet territorial i Palestinës, brenda kufijve të vitit 1967 dhe me Kudsin Lindor si kryeqytet”, tha Erdogan.

Në fillim të fjalimit të tij, Erdogan shprehu keqardhjen që presidenti palestinez Mahmoud Abbas nuk ka mundur të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për dy vite radhazi.

“Presidenti palestinez, z. Abbas, nuk ka mundur të jetë në këtë sallë për dy vite radhazi. Kjo padrejtësi ndaj vëllezërve dhe motrave tona palestineze lëndon ndërgjegjet”, shtoi ai.

Erdogan tha se Turqia do të vazhdojë të flasë në emër të një shteti palestinez të pavarur dhe sovran, pavarësisht mungesës së Abbasit.

“Edhe pse z. Abbas nuk mund të jetë këtu personalisht, ashtu siç bëmë vitin e kaluar, ne do të jemi zëri i një shteti të lirë dhe sovran të Palestinës”, tha ai.

Erdogan u bëri thirrje vendeve që të njohin shtetin palestinez.

“Sot, edhe një herë u bëj thirrje të gjitha vendeve që ende nuk e kanë njohur shtetin e Palestinës që të rishqyrtojnë vendimet e tyre”, tha ai.

Duke iu referuar situatës në Rripin e Gazës, Erdogan tha se enklava është shndërruar në varrezën më të madhe në botë për fëmijët dhe në rajonin me shkallën më të lartë në botë të amputimeve te fëmijët.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button