Presidenti i UEFA-s, Ceferin: Turqia ka dëshmuar aftësinë për të organizuar finale të mëdha

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin tha se organizimi i tre finaleve të UEFA-s nga Turqia që nga viti 2019 ka dëshmuar aftësinë e vendit për të organizuar me sukses ngjarje të mëdha evropiane të futbollit.

Në një intervistë ekskluzive për Anadolu, Ceferin tha se Turqia nuk duhet të konsiderohet një komb futbollistik në zhvillim, por një forcë e madhe.

“Kur vini këtu, shihni stadiume, klube, tifozë, vëmendje mediatike, përkushtim nga qeveria dhe federata, të gjithë përbërësit e duhur janë aty”, tha ai.

“Por, mbi të gjitha, ndjeni ethet autentike të futbollit. Në Turqi futbolli ka rëndësi çdo ditë, jo vetëm në ditët e ndeshjeve. Kjo është forca juaj e madhe, por është edhe një përgjegjësi e madhe”, tha ai.

Ceferin vlerësoi marrëdhënien e tij me Federatën Turke të Futbollit (TFF), duke e përshkruar si profesionale dhe konstruktive.

“Presidenti juaj Ibrahim Hacıosmanoğlu është dikush për të cilin kam respekt shumë të madh, jo vetëm për seriozitetin dhe vendosmërinë që ka treguar në trajtimin e çështjeve që lidhen me integritetin në futbollin turk, por edhe për sinqeritetin dhe ngrohtësinë që sjell në rolin e tij”, tha ai.

“Ai e kupton qartë se transparenca dhe llogaridhënia janë thelbësore për besueshmërinë e lojës dhe përpjekjet e tij po ndihmojnë në rikthimin e besimit në proces për klubet, lojtarët, arbitrat dhe tifozët”, shtoi Ceferin.

Rritja e Turqisë si organizatore e madhe e futbollit

I pyetur nëse UEFA ishte e kënaqur me organizimin e Superkupës së UEFA-s 2019 dhe finales së Ligës së Kampionëve 2023 nga Turqia, Ceferin tha se UEFA nuk do të rikthehej vazhdimisht në Istanbulpa pasur besim te qyteti dhe federata.

“Superkupa 2019, finalja e Ligës së Kampionëve 2023 dhe tani finalja e Ligës së Evropës 2026 në Beshiktash Park, janë dëshmi se Turqia mund të organizojë ngjarje të mëdha të UEFA-s”, tha ai.

“Transporti, siguria, lëvizja e tifozëve dhe mbërritja dhe largimi nga stadiumi janë fusha ku ende mund të përmirësojmë përvojën e përgjithshme të tifozëve. Por, përfundimi i përgjithshëm është pozitiv”, tha Ceferin.

Ai e quajti ıstanbulin “një nga qytetet e mëdha të futbollit në Evropë”, duke thënë se “është gjithmonë kënaqësi të rikthehesh këtu”.

EURO 2032 dhe infrastruktura e stadiumeve

Ceferin gjithashtu vlerësoi infrastrukturën e stadiumeve të Turqisë përpara UEFA EURO 2032, që do të organizohet bashkë me Italinë.

“Shumë vende në Evropë kanë folur për stadiume të reja për 20 vjet dhe më pas nuk ndodh asgjë”, tha ai.

“Turqia i shndërroi fjalët në vepra dhe ndërtoi objekte të shkëlqyera. Kjo bën një dallim të madh”, theksoi Ceferin duke shtuar: “Vendi juaj e ka njohur këtë dhe ka fituar një avantazh serioz ndaj shumë vendeve evropiane”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button