Presidenti i FIFA-s: Irani do të luajë ndeshjet e Kupës së Botës në SHBA

Kreu i organit ndërkombëtar të futbollit FIFA, Gianni Infantino, ka konfirmuar se Irani do të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026 këtë verë dhe do të luajë ndeshjet e planifikuara në territorin e SHBA-së, pavarësisht luftës në vazhdim, transmeton Anadolu.
“Irani do të marrë pjesë në Kupën e Botës FIFA 2026 dhe natyrisht Irani do të luajë në SHBA”, tha Infantino në Kongresin e 76-të të FIFA-s në Vancouver, Kanada.
Ai argumentoi se vendimi bazohet në përgjegjësinë për të “bashkuar njerëzit”, duke theksuar se futbolli mbetet një forcë unike që “bashkon botën” mes ndarjeve globale.
Irani u kualifikua për turneun, i cili nis më 11 qershor në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Ekipi pritet të përballet me Zelandën e Re dhe Belgjikën në Los Anxhelos më 15 dhe 21 qershor, si dhe me Egjiptin në Seattle më 26 qershor.
Kërkesa e Iranit për të zhvendosur ndeshjet e tij në Meksikë, një nga vendet bashkëorganizatore, u refuzua nga FIFA.
Megjithatë, rruga drejt pjesëmarrjes mbetet shumë e pasigurt. Ministri i sportit i Iranit, Ahmad Donyamali, tha se vendi nuk mund të marrë pjesë “në asnjë rrethanë”, duke përmendur vrasjen më 28 shkurt të liderit suprem të atëhershëm Ali Khamenei në fillim të ofensivës SHBA-Izrael.
“Ky regjim i korruptuar ka vrarë liderin tonë”, tha ai.
Presidenti amerikan, Donald Trump, në muajin mars tha se ndonëse ekipi i Iranit do të ishte i mirëpritur në Kupën e Botës, ai nuk mendon se është e përshtatshme që ata të marrin pjesë “për jetën dhe sigurinë e tyre”.



