Polonia shpall luftë telefonave dhe pornografisë: Nxënësve nën 16 vjeç u ndalohet celulari në shkollë

Polonia dëshiron që nga 1 shtatori t’u ndalojë nxënësve nën moshën 16 vjeç përdorimin e celularëve në shkolla, si dhe planifikon vendosjen e rregullave më të rrepta për verifikimin e moshës gjatë qasjes në përmbajtje pornografike në internet, deklaroi sot kryeministri polak, Donald Tusk.
Vende si Holanda, Korea e Jugut dhe Italia tashmë e kanë ndaluar përdorimin e telefonave inteligjentë në shkolla për shkak të shqetësimeve se ata ndikojnë negativisht në përqendrimin dhe sjelljen e nxënësve. Shtete të tjera kanë ndaluar ose po shqyrtojnë ndalimin e qasjes së fëmijëve në rrjetet sociale.
Ligji i propozuar do t’u ndalonte fëmijëve të moshës nga shtatë deri në 15 vjeç përdorimin e celularëve në ambientet e shkollës, përfshirë edhe gjatë pushimeve mes orëve mësimore, ndërsa shkollave do t’u jepte bazë ligjore për krijimin e vendeve të posaçme ose dollapëve për lënien e telefonave.
“Ne propozojmë ndalimin e përdorimit të celularëve në shkollat fillore gjatë mësimit dhe pushimeve… Jemi të bindur se prindërit dhe mësuesit duhet të kenë mundësinë për të kufizuar përdorimin e telefonave në shkolla”, tha Tusk.
Ai theksoi se bota po përballet me një problem civilizues të varësisë së pothuajse të gjithë njerëzve, e veçanërisht të më të rinjve, nga platformat, lojërat dhe përmbajtje të ngjashme.
“Jemi të vetëdijshëm se kjo mund të ketë pasoja katastrofike për jetën e fëmijëve dhe për shoqërinë në tërësi”, vuri në dukje Tusk.
Me një propozim-ligj të veçantë, të përgatitur nga Ministria e Çështjeve Digjitale, do të vendoseshin detyrime të reja për faqet e internetit që ofrojnë përmbajtje pornografike, me qëllim kufizimin e qasjes së fëmijëve në përmbajtje të tilla.
Qeveria polake më herët në arsyetimin e draft-ligjit specifikoi se mekanizmi për verifikimin e moshës nuk mund të bazohet në vetëdeklarimin e përdoruesit për vitet e lindjes, në të dhëna biometrike dhe as në të dhënat për aktivitetet e tij në internet, por duhet të jetë i dizajnuar në përputhje me kërkesat për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale.
Ministrja polake e Arsimit, Barbara Nowacka, që në muajin shkurt prezantoi planet për ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, gjë që hapi mundësinë për një konflikt me kompanitë e mëdha teknologjike amerikane.
Kompanitë teknologjike pretendojnë se fokusi duhet të përqendrohet te mënyra e përdorimit të pajisjeve dhe jo te ndalimet e plota, duke theksuar se tashmë ekzistojnë kontrollet prindërore dhe masa të tjera të synuara për kufizim. Gjithashtu, ato vënë në dukje përparësitë e telefonave inteligjentë për mësimdhënien, komunikimin dhe sigurinë.



