Përfundon tenderi për 100 autobusë të rinj ekologjikë për Shkupin

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se ka përfunduar me sukses procedura e tenderit dhe ankandi publik për furnizimin me 100 autobusë të rinj ekologjikë, të cilët do të jenë pjesë e flotës së transportit publik në kryeqytet.
Gjorgjievski bëri të ditur se për lajmin është informuar nga ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, me të cilin ka zhvilluar një bisedë telefonike.
“Me kënaqësi të madhe ju informoj se procedura e tenderit dhe ankandi publik për furnizimin me 100 autobusë të rinj ekologjikë për qytetin e Shkupit ka përfunduar me sukses”, deklaroi Gjorgjievski.
Ai shprehu falënderime për kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin e Transportit, Aleksandar Nikoloski, duke vlerësuar mbështetjen e tyre për realizimin e këtij projekti.
“Dua t’i shpreh një falënderim të sinqertë kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrit Aleksandar Nikoloski për mbështetjen e fuqishme që po i japin Shkupit dhe qytetarëve të tij”, theksoi ai.
Sipas Gjorgjievskit, bëhet fjalë për një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të transportit publik në kryeqytet.
“Ky është një hap historik drejt rinovimit të flotës së NTP ‘Shkup’ dhe fillimi i një epoke të re në transportin publik urban – më modern, më i pastër, më i sigurt dhe më dinjitoz për qytetarët”, u shpreh kryetari i Shkupit.
Ai bëri të ditur se kompania e përzgjedhur është “Ikarus”, në bashkëpunim me EVN Maqedoni. Nga dita e sotme fillon afati dhjetëditor për paraqitjen e ankesave, ndërsa pas përfundimit të tij pritet nënshkrimi i kontratës dhe nisja e procesit të dorëzimit të autobusëve.
Në fund, Gjorgjievski theksoi se projekti dëshmon se rezultatet arrihen kur ekzistojnë vullneti, përkushtimi dhe bashkëpunimi institucional.



