Pentagoni përgatit plane për tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga Siria
Departamenti Amerikan i Mbrojtjes (Pentagoni) po përgatit plane për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, të cilën presidenti amerikan Donald Trump e ka përshkruar se ka “kaos të mjaftueshëm”, transmeton Anadolu.
Dy zyrtarë nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, në një deklaratë për NBC News thanë se Pentagoni po zhvillon plane për të tërhequr të gjitha trupat amerikane nga Siria.
Zyrtarët tërhoqën vëmendjen se presidenti Trump dhe zyrtarë të afërt me të kanë treguar kohët e fundit interes lidhur me tërheqjen e trupave amerikane nga Siria.
Në këtë drejtim zyrtarët e Pentagonit thuhet se kanë filluar të bëjnë plane për tërheqjen e plotë të trupave amerikane nga Siria brenda 30, 60 ose 90 ditëve.
Sipas lajmit, këshilltari i ri i Trumpit për sigurinë kombëtare, Mike Waltz e kaloi javën e kaluar në selinë e Komandës Qendrore të SHBA (CENTCOM) në Tampa, Florida.
Në kuadër të vizitës së tij në selinë qendrore, Waltz u takua me drejtues të lartë ushtarakë amerikanë dhe u informua mbi zhvillimet më të fundit në rajonin e Lindjes së Mesme.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar se “Është mirë që Waltz vizitoi CENTCOM-in për të njohur të gjithë rajonin”.
Trump: Ka mjaft kaos atje
Gjatë fjalimit të tij në Zyrën Ovale më 30 janar, presidenti Trump u pyet nga një gazetar në lidhje me informacionet e fundit të dhënë ndaj qeverisë izraelite në lidhje me tërheqjen e trupave amerikane nga Siria.
“Nuk e di kush e ka thënë këtë, por ne do të marrim një vendim për këtë. Ne nuk do të përfshihemi në Siri”, deklaroi Trump i cili duke mbrojtur idenë se Siria është në kaos, shtoi se “Aktualisht ka mjaft kaos atje (në Siri). Ne nuk kemi nevojë të përfshihemi atje”.
Gjendja e fundit e forcave amerikane
Në fund të vitit 2019, Trump urdhëroi sekretarin e atëhershëm të Mbrojtjes, James Mattis që të tërhiqte të gjitha trupat amerikane nga Siria. Mattis, i cili kundërshtoi planin dha dorëheqje në shenjë proteste.
Administrata e atëhershme e Trumpit tërhoqi shumicën e trupave amerikane, por më vonë i ktheu ato në rajon. Prezenca e SHBA-së në Siri vazhdoi që nga ajo kohë.
Në dhjetor 2024, Pentagoni njoftoi se në Siri ishin të vendosur rreth 2.000 ushtarë. Kjo ishte më shumë se dyfishi i rreth 900 ushtarëve që ushtria kishte thënë për vite me radhë.
Një zëdhënës i Pentagonit i cilësoi 1.100 trupat shtesë në atë kohë si “forca të përkohshme rotacioni” për rreth 30 deri në 90 ditë në të njëjtën kohë dhe tha se 900 ushtarë ishin trupat “bërthamë” të dislokuara atje për rreth një vit.