Pas mbylljes së klasës shqipe te “Penko”, shifrat e “Panajot Ginovskit” ngrenë pikëpyetje

“445 nxënës në paralelet shqipe, kundrejt 156 në ato maqedonase. Një diferencë prej gati tre me një në shkollën “Panajot Ginovski” në Butel. Shifrat e siguruara nga Alsat ngrenë pikëpyetje për mënyrën se si organizohen paralelet në një komunë ku, vetëm pak ditë më parë u vendos mbyllja e një paralele shqipe në një shkollë tjetër,” raporton gazetarja nga terreni.

 

Sipas të dhënave që disponon Alsat, paralelet në gjuhën maqedonase në shkollën Panajot Ginovski në Butel, mbeten funksionale edhe pse me vetëm 6, 7 ose 8 nxënës. Respektivisht, në klasë të dytë ka dy paralele me nga 8 dhe 12 nxënës, gjithsej 20. Ndërkaq paralelet në gjuhën shqipe janë dy klasa, të dyjat me nga 30 respektivisht 60 nxënës. Por, këtu komuna nuk e ka parë të arsyeshme të mbyllë një klasë në gjuhën maqedonase dhe të hap një klasë shtesë në gjuhën shqipe, sikurse në shkollën Penko.

 

Situata është njësoj edhe me paralelet në klasën e tretë. Ato maqedonase, janë klasa me 7 dhe 10 nxënës, ndërsa dy klasat në gjuhën shqipe janë me nga 30 nxënës. Po ashtu edhe në klasë të nëntë, dy klasa më mësim në gjuhën maqedonase janë me gjithsej 20 nxënës, ndërsa dy klasat në gjuhën shqipe kanë gjithsej 60 nxënës. As këtu asnjë paralele nuk është organizuar, respektivisht pavarësisht numrit të vogël të nxënësve të cilët mund të shkrihen në një klasë në gjuhën maqedonase, vazhdon të mbeten nga dy klasë, duke mos rrezikuar vendin e punës asnjë mësuesi maqedonas.

Sipas informacioneve të Alsat, për vitin e ri shkollorë në “Panajot Ginovski” janë pranuar 36 nxënës, ndërsa 15 janë në pritje, edhe pse 9 prej tyre kanë motër ose vëlla që mëson pikërisht në këtë shkollë.

 

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, tha se të dhënat do të kontrollohen edhe njëherë, duke nënvizuar se në asnjë moment nuk është bërë diskriminim mbi baza gjuhësore. Janevska këshilloi numrin “një” të Butelit, për rishqyrtim të situatës dhe marrjen e një vendimi të drejtë.

 

“212 dhe 222 paralele i kemi bashkuar, i kemi bashkuar nxënësit në mënyrë që të mos ketë klasa me numër më të vogël nxënësish. Jo kudo në Maqedoni e kemi bërë këtë, duke pasur parasysh edhe stafin mësimor. Sektori ka punuar seriozisht gjatë gjithë verës për të gjetur zgjidhjen më optimale, në konsultim me kryetarët e komunave dhe me drejtorët e shkollave. Ata kanë ardhur këtu, kemi diskutuar dhe kemi bërë plane. Kemi shkolla dhe kemi paralele ku ka një numër më të vogël nxënësish dhe për këto raste Ministria ka dhënë leje gjatë kësaj periudhe. Por po ju tregoj pse: para së gjithash, në interes të fëmijëve, dhe më pas duke shkaktuar dëmin më të vogël të mundshëm për stafin mësimor. Do t’i kontrollojmë edhe një herë këto të dhëna. Ju siguroj se në asnjë moment nuk kemi bërë diskriminim sa i përket përdorimit të gjuhëve; kemi menduar për të mirën e fëmijëve. Do t’i këshilloj kryetarit të komunës, pasi kjo është në kompetencën e tij, që edhe një herë ta rishqyrtojë ose ta kontrollojë gjendjen në komunën e tij dhe të marrë një vendim të drejtë.”

 

Kujtojmë se pak ditë më parë, këshilli i komunës vendosi të mbyllë një paralele të klasës së parë në gjuhën shqipe, në shkollën fillore “Penko” duke u arsyetuar me numrin e pamjaftueshëm të nxënësve nga territori i Butelit. Ndërkohë, Alsat raportoi se në shkollë funksionojnë paralele në gjuhën maqedonase me vetëm katër, pesë nxënës. Në “Penko” çështja është bërë edhe më e ndjeshme pasi, sipas raportimeve të Alsat, rreth 40 fëmijë nga Çairi nuk janë pranuar në shkollë, ndonëse jetojnë shumë pranë saj. Kryetari i Butelit e ka mbrojtur vendimin duke u thirrur në rajonizimin dhe në numrin e nxënësve. /Alsat.mk

 

 

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button