Partia opozitare gjermane e cilëson ofensivën ushtarake të Izraelit në Gaza si “gjenocid”

Partia e Majtë opozitare gjermane për herë të parë zyrtarisht i ka cilësuar veprimet e Izraelit në Rripin e Gazës si “gjenocid”, pas një rezolute të miratuar me shumicë të madhe në konventën kombëtare të partisë në qytetin lindor Potsdam, transmeton Anadolu.
“Organizatat ndërkombëtare, organizatat për të drejtat e njeriut dhe shumë ekspertë të së drejtës ndërkombëtare flasin për gjenocid ndaj palestinezëve në Gaza. Ne pajtohemi me këtë vlerësim”, theksoi rezoluta.
Rezoluta e cituar nga Agjencia Gjermane e Shtypit (dpa) theksoi përkushtimin ndaj të drejtës së ekzistencës së shtetit të Izraelit dhe Palestinës.
“Si një strehë e sigurt për hebrenjtë, shteti i Izraelit ka një rëndësi të veçantë historike dhe bashkëkohore. Po ashtu, ne mbështesim të drejtën e ekzistencës së Palestinës dhe të drejtat e barabarta për të gjithë njerëzit në Palestinë”, thuhet në rezolutë.
Izraeli nisi gjenocidin në Gaza në tetor të vitit 2023 dhe sipas shifrave palestineze ofensiva ka vrarë më shumë se 73 mijë palestinezë dhe ka plagosur mbi 173 mijë të tjerë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, ndërsa ka shkatërruar një pjesë të madhe të infrastrukturës civile të enklavës.
Megjithëse një armëpushim është në fuqi që nga 10 tetori i vitit 2025, sulmet dhe kufizimet izraelite kanë vazhduar, duke lënë më shumë se 1.000 palestinezë të tjerë të vrarë dhe mbi 3.100 të plagosur që nga hyrja në fuqi e armëpushimit.



