Paralajmërimi i frikshëm i Erdoganit mbi Izraelin
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan paralajmëroi të martën se pasojat e operacionit tokësor të Izraelit kundër Libanit do të jenë shumë të ndryshme nga lëvizjet e ngjashme në të kaluarën, raportoi Anadolu.
“Pasojat e operacionit tokësor në Liban nuk do të jenë të ngjashme me pushtimet e kaluara (të Izraelit),” tha Erdogan në një fjalim në rihapjen e parlamentit turk pas pushimit veror, vetëm disa orë pasi trupat dhe tanket izraelite filluan të përparonin në Libanin fqinj.
Duke dënuar veprimet e Izraelit në rajon, ai kritikoi “gjenocidin gati njëvjeçar në Gaza dhe sulmet e fundit terroriste në Liban”, duke thënë se qeveria izraelite po përpiqej të provokonte vendet e rajonit në konflikt.
“Duke vepruar nën vetëmashtrimin e tokës së premtuar, administrata izraelite do të fokusohet në territorin e atdheut tonë pas Palestinës dhe Libanit”, paralajmëroi Erdogan.
Duke theksuar seriozitetin e situatës, Erdogan shtoi: “Okupimi, terrorizmi dhe agresioni janë afër nesh”. “Ai (Izraeli) nuk është një shtet ligjor, por një tufë vrasësish që ushqehen me gjak dhe lulëzjnë nga pushtimi”.
Duke theksuar se agresioni izraelit përfshin edhe Turqinë, Erdogan tha: “Ne do të luftojmë kundër këtij terrorizmi shtetëror me të gjitha mjetet që kemi, për hir të atdheut tonë, popullit tonë dhe pavarësisë sonë”.