Mickoski: Mosmarrëveshja jonë me Bullgarinë është dypalëshe, prandaj duhet të përfshihet BE-ja

Takimet e deritanishme në nivel bilateral mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë kanë qenë takime “sa për t’u zhvilluar”, ndërsa Bashkimi Evropian duhet të përfshihet në proces për të dëgjuar argumentet e të dyja palëve – deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski në një intervistë për MTV, duke iu përgjigjur pyetjes se si e interpreton qëndrimin e Sofjes zyrtare se është e gatshme për dialog, por vazhdon të kërkojë që bisedimet të zhvillohen në mënyrë bilaterale dhe jo me ndërmjetësimin e BE-së.
Kryeministri theksoi se takimet e deritanishme nuk kanë sjellë rezultate thelbësore.
“Shikoni, takimet e deritanishme në nivel bilateral, që i kanë zhvilluar si presidentja, ashtu edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, janë takime që unë i quaj takime sa për t’u zhvilluar. Dhe më pas kemi informime pas përfundimit të tyre, por gjithmonë me një të vërtetë krejtësisht të ndryshme nga ajo që është diskutuar në takim.
Ideja jonë, kur themi se duhet të përfshihet edhe Bashkimi Evropian, është që ata të dëgjojnë edhe argumentet tona, edhe argumentet e palës tjetër. Unë e di se cili është shqetësimi i Sofjes zyrtare. Ata thonë: ‘Nëse ulemi në prani të një partneri të tretë, kjo do të thotë se vërtet kemi një mosmarrëveshje bilaterale’.
Dhe vërtet, ne kemi një mosmarrëveshje bilaterale. Mund të shpikim gjëra, mund të bëjmë sikur nuk ekziston, por në thelb ne vërtet kemi një mosmarrëveshje bilaterale, e cila tani është në fillimet e saj.
Dhe përderisa është në fillim, këtë e thashë edhe në fjalimin tim dje, ne duhet të zhvillojmë dialog dhe pikërisht për këtë na nevojiten përfaqësues të organizatave shumëpalëshe, në këtë rast të Bashkimit Evropian, në mënyrë që t’i dëgjojnë argumentet”, theksoi Mickoski.
Ai tha se qëndrimi i Qeverisë është se nuk mund të hyjë në një aventurë pa e ditur se ku përfundon rruga e integrimit evropian.
“Qëndrimi ynë është se nuk mund të hyjmë në çfarëdo aventure pa e ditur se fundi është i arritshëm dhe se qartë e shohim atë fund. Nuk do të donim të hynim në një proces, ku më pas vazhdimisht do të zhvendosen kushtet.
Pse? Sepse, po të jemi krejtësisht të hapur dhe të drejtpërdrejtë, nesër nëse i hapim negociatat, për çdo kapitull dhe çdo klaster më pas do të duhet të votohet në parlamentet kombëtare të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kur ato mbyllen.
Kjo është të paktën 80 herë mundësi që ne përsëri të përballemi me kërkesa të reja. Si do të duket kjo? Mund të shfaqet ndonjë strukturë më radikale në Parlamentin e fqinjit tonë lindor dhe më pas politikanët e rrymës kryesore do të thonë: ‘E dini, tani për shkak të problemeve të brendshme duhet t’i bllokojmë përsëri. E dini, ndikimi rus, ky ndikim, ne po luftojmë kundër ndikimit rus, ju jeni rusët e këqij, ne jemi evropianët e mirë të Brukselit’, dhe përafërsisht kështu do të duket e gjithë kjo.
Unë nuk do të hyj në një proces të tillë”, tha Mickoski.
Kryeministri shtoi se Qeveria ka propozime se si të tejkalohet ky proces dhe si kjo të arrihet së bashku me Bullgarinë, me të cilën, siç tha, janë partnerë në NATO.
“Nëse atje jemi partnerë në atë familje, logjika thotë se edhe këtu duhet të jemi partnerë. Dhe në fund të ditës, është edhe në interes të Sofjes zyrtare që ne të jemi pjesë e Bashkimit Evropian. Mendoj se pikërisht këto janë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, tha Mickoski.
Ai theksoi se Qeveria shfrytëzon çdo mundësi para partnerëve strategjikë, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të prezantuar argumentet dhe qëndrimet e Maqedonisë në lidhje me integrimin në Bashkimin Evropian.
“Unë vetëm mund të them se ne e shfrytëzojmë çdo rast, çdo mundësi për t’i prezantuar argumentet tona. Kjo është ajo që është e rëndësishme për mua dhe për njerëzit në Qeveri”, tha Mickoski.
Ai shtoi se qëllimi i tyre është që praktikisht t’i përcjellin “qëndrimet dhe argumentet tona, ndërsa më pas bashkëbiseduesit tanë le të vlerësojnë dhe gjykojnë nëse kemi të drejtë apo jo”, theksoi kryeministri maqedonas në intervistën për televizionin publik.



