Palestinezët e zhvendosur kalojnë dimrin e ashpër në tendat e improvizuara në Deir al-Balah

Palestinezët e zhvendosur në Deir al-Balah po përballen me kushte të ashpra të dimrit, duke luftuar për të qëndruar ngrohtë në tendat e improvizuara në rrethana të vështira të jetesës, raporton Anadolu.
Bllokada izraelite për dërgesat e strehëve të parafabrikuara në enklavën e rrethuar palestineze po thellon krizën humanitare në Rripin e Gazës.
Shumë familje që qëndrojnë në tenda të improvizuara mbështeten te zjarret për të qëndruar ngrohtë, duke bërë përpjekje të dëshpëruara për të mbrojtur fëmijët e tyre nga i ftohti.
“Jemi një familje prej 14 anëtarësh me fëmijë të vegjël. Jemi në një tendë dhe ajo është shumë e ftohtë. Unë djeg plastikë dhe najlon për t’i mbajtur fëmijët e mi të ngrohtë”, tha Om Mohammad al-Masri, e cila është strehuar në një tendë me fëmijët e saj pasi u zhvendos nga Beit Hanoun.
“Tenda jonë u përmbyt. Gjithçka brenda çadrës ishte lagur, shtrati ynë ishte lagur. Një nga fëmijët duhej të dërgohej në spital për shkak të të ftohtit. Ai zhvilloi simptoma të pneumonisë akute nga temperaturat e ngrira”, theksoi ajo.
Moti i rëndë, mungesa e strehimit të përshtatshëm dhe bllokada e vazhdueshme e ndihmave humanitare nga Izraeli ka krijuar një situatë gjithnjë e më të dëshpëruar për qindra mijëra palestinezë të zhvendosur.
Kufizimet e Izraelit për dërgesat e ndihmave, si në sasi ashtu edhe në lloje, vetëm se e kanë komplikuar krizën, duke lënë shumë njerëz pa qasje në nevojat më elementare, përfshirë ushqimin, ilaçet dhe furnizimet për ngrohje.
Më 19 janar hyri në fuqi një marrëveshje armëpushimi në Rripin e Gazës, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit, e cila që nga 7 tetori i vitit 2023 ka vrarë të paktën 48.350 palestinezë, si dhe e ka lënë enklavën palestineze në gërmadha.
Në muajin nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për luftën në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).